Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e vendit, por jo për të reduktuar subjektivitetin shtetëror dhe për konflikt me partnerët ndërkombëtar.
Kështu tha shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili theksoi se mbrojtja e sovranitetit nuk ka qenë ndonjëherë më në rrezik.
Tahiri: Sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr
“Nuk duhet të e tejkalojmë me qetësi dhe normalitet faktin që sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr dhe në një kopsht e zyre të një kryetari që kryeministri e quan herë me k të madhe e herë me k të vogël. Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik. E ka edhe tash në mbrojtjen e pikës 1 dhe 31 në mbrojtje të doganave, e ka mbështetjen në mbrojtjen e sovranitetit dhe vendosjes së njësive speciale policore elite në pikat që kanë vendin e vetë, por nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë në qoftë se këtë pjesë të rëndësishme të subjektivitetit tonë shtetëror dhe kombëtar e ka reduktuar në një konflikt të hapur mes Kosovës dhe vendeve që na kanë qenë krah në shpalljen, njohjen e anëtarësimin”, tha ai.
Pas situatës tensionuese në veri të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar inicimin e një mocioni mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
/TV Malisheva