Për ta kuptuar natyrën dhe veprimet qesharake të këtij pushteti në raport me shtetin e Kosovës, mjafton vetëm të vëzhgohen sjelljet e 24 orëve të fundit të mbartëseve kryesorë të tij.

Deri sa dje Kryeministri Kurti  nga kryeqyteti Helen kërkonte më ngulm zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritanishme të dakorduara me Serbinë, në intervista tjera i rikthehet refrenit të zakonshëm “poetik” se “s’mund të ketë dialog pa ndëshkimin ndërkombëtar të Serbisë”.

Mirëpo, pa kaluar shumë kohë kuptohet se ai tashmë është pajtuar me planin e Bashkimit Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pajtim ky, që nënkupton se kjo pikë do të realizohet si neni i parë Marrëveshjes për sekuencim, për cilën Albin Kurti dhe Aleksandër Vuciq, ishin dakorduar në Ohër me ndërmjetësimin e BE-së.  Dhe këtë zbatim ai ka vendosur ta bëjë pikërisht pas agresionit të hapur ushtarak nga Serbia mbi territorin e Kosovës.

Ndërkohë, kjo qasje groteske, shpërfaqet më shumë se në çdo rast tjetër, kur Kryekuvendari Glauk Konjufca deklaron se i jep mbështetje të plotë të parit të Qeverisë për “sabotim” të dialogut deri sa nuk ndëshkohet Serbia, por papritmas pohon se plani i ri i Bashkimit Evropian për Bashkësinë e komunave serbe i është dukur i pranueshëm në aspektin kushtetues, edhe pse thotë se të njëjtin nuk e ka shtjelluar në detaje.

Por, kulmi i ironisë së kësaj sjellje fatale për shtetin mund të konsiderohet fakti se Konjufca një prononcim të tillë bënë pasi del nga gjykata si i akuzuar nga Prokuroria për dhunimin që ua kishte bërë institucioneve demokratike të shtetit me anë të gazit lotsjellës, pikërisht për të protestuar kundër zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin.

Janë këto veprime në mesin e shumë tjerave, që mjerisht e kanë vendosur shtetin e Kosovës në një pozicion pa shtegdalje. Ku këtij të fundit i duhet ose të konfrontohet me Bashkësinë Ndërkombëtarë, ose pajtohet me kërkesat e Serbisë për ta shmangur këtë tension.

/TV Malisheva

Share.