Futbolli italian është i pezulluar tash e një kohë të gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Igli Tare ashtu si presidenti i tij Claudio Lotito nuk heq dorë nga ideja që ky sezon futbollistik të përfundojë edhe pse mund të cenohet kampionati i ardhshëm i cili duhet të nisë në shtator, shkruan KosovaPress.

Në një intervistë për Sky Sport, drejtori sportiv i Lazios foli rreth temës aktuale në Itali, dhe u shpreh se qeveria italiane nuk mund të marrë vendim për të mos vazhduar kampionatin, pasi që Lazio beson fort në titullin e kampionit, pasi që është vetëm një pikë larg Juventusit.

“Është shumë e rëndësishme të mbyllet ky sezon. Lazio ka qenë klubi i parë që u ndal dhe një nga klubet e para që ka respektuar të gjithë direktivat që prej ditës së parë. Ne do e nisim stërvitjen të mërkurën. Flitet sikur kemi frikë nga gara për titull, por nuk jemi të shqetësuar. Kemi fituar gjithçka në fushë, mungojnë 12 ndeshje dhe jemi një pikë larg Juventusit. Më duket e madhe fjala titull. Ne duam të japim një sinjal të fortë për sistemin italian të futbollit. Kemi qenë agresivë, sepse ndalesa e Serie A, që është industria e tretë në vend, do të shkaktojë dëme shumë serioze”, deklaroi Tare./Tv Malisheva

Share.