Sipas tyre, ky vendim është i kundërligjshëm, ndërsa theksojnë se tani do të ballafaqohet me pasojat e Ligjit dhe do të duhej të shkarkohej prej kryeministrit Kurti.
Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk e marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, vendim ky i marrë ditë më parë nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai pat theksuar se për 5 ditë pune, punëtorët në grevë do të kenë rreth 90 euro minus në pagë për këtë muaj. Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se greva është e ligjshme dhe se me këtë vendim, ministri Murati është treguar i papërgjegjshëm, derisa theksoi se ai do të ballafaqohet me pasojat e Ligjit dhe do të duhej të shkarkohej nga kryeministri Kurti.
“Në bazë të Ligjit për Grevat, në bazë të ligjeve për bashkim sindikal, në bazë të asaj që e parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe asaj çka ka promovuar Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi, është e pakuptimtë dhe e pavend që të ndalen pagat e të gjithë atyre që janë pjesë e grevës”, tha ai.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.