Dhjetë milionë euro ka arrit gjoba ndaj Telekomit të Kosovës nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për mos implementim të Kodit shtetëror +383.

Telekomi përshkak të krizës financiare ende nuk po arrin ta implementoj në tërësi migrimin e numrave që kërkohet me kodin e ri.

Drejtues të ARKEP-it mbeten të përkushtuar që me menaxhmentin e ri të Telekomit të gjendet një zgjidhje për implementimin e këtij kodi shtetëror.

Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të ARKEP për vitin 2020 në Komisionin për Ekonomi, anëtari i komisionit nga radhët e LVV-së Driton Hyseni ka vlerësuar se kjo gjobë në kohën kur Telekomi gjendet në një krizë të rëndë financiare që nuk arrin t’i siguroj as pagat, është e pa përballueshme.

Për këtë çështje deputeti Hyseni ka pyetur kryetarin e Bordit të ARKEP-it, Naim Rahimi, se a ka pasur shkelje të konkurrencës në rastin e gjobitjes së Telekomit.

Ani pse Telekomi ka bërë ankesë në Autoritetin e Konkurrencës, por nuk ka parashtruar padi për këtë gjobë.

“Si rrethanë e mos migrimit me kohë nga Telekomi, a është në vazhdim ende ky penalizm financiar që obligon nga 5 mijë euro në muaj Telekomin e Kosovës[…]A është duke u monitoruar Telekomi dhe a është duke bërë progres në këtë drejtim që mua po më duket barrë e madhe financiare për një kompani e cila as pagat e punëtorëve nuk mundet me ua siguru. Kështu që kemi një autoritet i cili në një farë forme e sfidon edhe në këtë formë Telekomin. Pra, duket edhe një goditje e frontale për ta”, theksoi Hyseni.

Kryetari bordit të ARKEP-it Naim Rahimi gjatë raportimit në Komision, tha se fillimisht janë gjobitur IPKO edhe Telekomi, por pastaj IPKO ka bërë implementimin e kodit, dhe ka mbetur Telekomi në vazhdimësi të mos e përmbush këtë kriter.

“E kemi vendimin 14-77 që me automatizëm për mos implementim të kësaj çështje operatori Telekomit gjobit me 5 mijë euro. Fillimisht janë gjobitur edhe IPKO edhe Telekomi, më pastaj IPKO ka bërë implementimin, ka mbetur Telekomi dhe tash në vazhdimësi derisa nuk përmbushet ky kriter ne e gjobisim. Veprimet tjera duhet të shohim në vazhdimësi. Por, çështja për mos implementim janë problemet financiare të Telekomit”, theksoi Rahimi.

Për gjendjen e rëndë të Telekomit, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se ARKEP ishte dashur të jetë më e kujdesshme ndaj Telekomit.

“Sipas kësaj që po rezulton po të ishte ARKEP pak më i kujdesshëm dhe më reagues, a mendoni se do të ishte ky borxh sot ndaj jush prej 10 milionë euro”, ka pyetur Shala.

Për këtë është përgjigjur Rahimi, i cili tha se Bordi i kaluar kishte insistuar të gjej një zgjidhje, por sipas tij, ka mundur të ndodhë edhe më keq të Telekomin.

“Bordi i kaluar në vazhdimësi ka negociuar me Telekomin, kanë ndarë këstet në nën këste, pastaj nën këstet kanë filluar me i ndarë edhe nën këste të tjera që e ka sjellë situatën deri këtu që nuk ishte dashur. Ka pasur tendencë veprimi konkret për përmbarim, është stopuar procesi si pasojë e kërkesës të Ministrisë në mënyrë që me gjetur një zgjidhje. Falimenton, nëse sot e çon te përmbaruesi”, theksoi Rahimi.

Përveç kësaj, deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj theksoi se në objektet e kultit ka të vendosura antena ilegale të operatori mobil serb “MTS”.

Për këtë, Lekaj tha se ka informacione që ARKEP nuk ka qasje në këto objekte.

“Në informacione okulare, ekzistojnë informata që antenat në vendin ku ju nuk mund t’i frekuentoni ka antena të tilla, kryesisht në kulte fetare, dhe deri më sot nuk kam parë ndonjë veprim nga ju. e di ka vështirësi për me shkua deri aty, por e di që ekzistojnë antenat”, tha Lekaj.

Kryetari i Bordit, Rahimi pranoj se nuk kanë qasje në objektet e kultit, por mendon se që nga viti 2010 kur janë marrë aksionet në veri dhe enklave serbe është shkatërruar infrastruktura ilegale e operatorëve serb.

“Është e vërtet që në objektet e kultit fetar qasja është e kufizuar dhe nuk mund të hyjmë brenda, por megjithatë ne kemi pajisje që prej distancës së caktuar mund t’i verifikojmë. Unë e di se prej aksionit që ka qenë në vitin 2010, eliminimi dhe konfiskimi i gjithë infrastrukturës që kanë pasur. Një kohë të caktuar kanë ofruar shërbime, mirëpo më tutje nuk kemi mundur të depërtojmë ose të ndërmarrim ndonjë veprim”, theksoi ai.

Rahimi duke iu përgjigjur deputetit Driton Hyseni, theksoi se për mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike dhe sigurisë kibernetike, janë të sfiduar për shkak të mungesës së Ligjit dhe stafit./TV Malisheva

Share.

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/beklpuib/public_html/wp-includes/functions.php on line 4757