Seanca e dytë parlamentare kësaj jave në Shqipëri ku vijon shqyrtimi i projekt buxhetit 2022 ka shënuar tensione të larta.
Gjatë fjalës së tij deputeti demokrat Ervin Salianji ka akuzuar socialistin Erion Braçe se emri i tij është përmendur në përgjimet e çështjes së biznesmenit Rezart Taci, moment nga ku ka nisur edhe një përplasje e cila u shmang nga garda e republikës.
“Ky zotëria që ngrihet dhe bën si më i shqetësuar në përgjimet e prokurorisë italiane të dalë dhe të flasë për Rezart Tacin. A je ti zv.kryeministri? O kone mos mu drejto mua si kone,” tha Salianji.
Pas rinisjes së seancës, Braçe është mbrojtur duke thënë se ai është i pari që ka denoncuar çështjen e ARMO-s si dhe ka hedhur akuza për korrupsion politik.
“Dokumenti i përgjimit të Rezat Taçit mban datën 18 tetor 2021, unë e zotëroj të plotë dhe atëherë unë nuk kam qenë zv.kryeminitër. Që në shtator ku është betuar qeveria unë kam qenë deputet. Që të jemi të qartë. Ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza sa te njëri te tjerët dhe do jua provoj që paguhen me cash. O e kam denoncuar unë ARMO-n, o s’ka folur njeri në këtë sallë dhe madje e kam kallëzuar edhe në prokurori. Aty e keni ARMO-n varr të hapur të një korrupsioni politik. Unë s’kam folur kurrë me Taçin dhe as jam takuar kurrë me atë njeri. Mua dhe Rezart Taçin na ndan një oqean i madh. Unë dhe Rezart Taçi s’ kemi shkëmbyer kurrë as telefonata as mesazhe. Unë s’kam shkelur kurrë në televizionin e Rezart Taçit” tha Braçe.
Megjithatë deputeti demokrat Salianji ka vijuar me akuzat e tij edhe lidhur me buxhetin duke thënë se ka borxhin më të madh që u ngarkohet qytetarëve./RTSH/
/TV Malisheva