Në Qebaptoren “Hilmia” në Prizren, pas një zënke mes pronarit dhe një anëtari të familjes Mullallari me 57 vjeçarin Luan Delili, mbeti i plagosur ky i fundit, i cili u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Siç raportohet nga burimet përveç Shaban Mullallari, edhe Dardan Mullallari është arrestuar nën dyshimet se është i përfshirë në këtë rast.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pas orës 14:00, kur pas një zënke momentale që kishin dy të dyshuarit me viktimën, pronari Shaban Mullallari e ka nxjerrë një armë, me të cilën dyshohet se ka gjuajtur në drejtim të viktimës.
Për pasojë, Luan Delili pësoi plagë në këmbë dhe u dërgua në Emergjencë për trajtim mjekësor dhe sipas informacioneve të para, është jashtë rrezikut për jetë.
Posa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe janë marrë informacionet e para për motivin që i futi palët në sherr.
Ndërsa, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për këtë incident.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndaj tyre është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se arma që dyshohet se është përdorur në rasti është konfiskuar me disa fishekë.
“Është raportuar se viktima mashkull nga Kosova ka mbetur i plagosur në këmbë pasi ishte qëlluar me revole nga i dyshuari mashkull nga Kosova. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore me ç’rast është konfiskuar një revole me 6 fishekë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent me vendim të të cilit dy persona të dyshuar që ndërlidhen me rastin dërgohen në mbajtje. Rasti nën hetime.”
Burimet kanë kontaktuar edhe mishtoren “Hilmia” për të marrë një deklaratë lidhur me atë që ka ndodhur, por personi i cili është përgjigjur në numrin e tyre kontaktues ka refuzuar të flasë, duke u shprehur shkurt se nuk kanë informacione.
“Jo, na nuk kena kurrfarë informate. Nuk kom asnjë informacion…kalofshi mirë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/TV Malisheva