Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka thënë se grupet serbe të tifozëve të futbollit gjithmonë kanë qenë në shërbim të strukturave shtetërore e të sigurisë së Serbisë.

Këto komente Musliu i ka bërë pas raportimeve se serbët e arrestuar në Moldavi për planifikim të grusht-shtetit me urdhër të rusëve, janë pjesëtarë të tifo grupit nga Beogradi – Grobari. Derisa ka shtuar se për këtë përgjegjës duhet të mbahet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Grupet serbe të tifozëve të futbollit gjithmonë kanë qenë në shërbim të strukturave shtetërore e të sigurisë së Serbisë. Pjesëmarrja e grupit kriminal të tifozëve ‘Grobari’ (Varrmihësit), në përpjekjen për grushtet në Moldavi, është përgjegjësi e vet shtetit të Serbisë, dhe personalisht e Aleksandar Vuçiqit, i cili ka monopol të kontrollit”, ka thënë Musliu.

Ai ka thënë po ashtu se i njëjti grup i tifozëve, ka qenë përkrahës i madh edhe i agresionit rus në Ukrainë.

“Dallimi i tyre me Vuçiqin është se ata e flasin dhe e bëjnë atë që e ka në zemër Vuçiqi”, ka përfunduar ai.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka thënë dje se Rusia planifikoi të kryente grusht-shtet përmes protestave të organizuara nga opozita, duke infiltruar mes protestuesve personel të trajnuar ushtarak nga vende si Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi.

/TV Malisheva

Share.