Thaçi shkroi se “kontributi i trimave tanë për t’ia ndalur hovin regjimit të Millosheviqit, në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, ishte çdoherë i lartë.

Disa prej këtyre trimave, që i luftuan heroikisht forcat policore dhe ushtarake të Serbisë ishin edhe Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula”.

Bekim Berisha luftoi në Kroaci e Bosnje dhe padyshim që gjaku i tij shqiptar nuk e linte asnjëherë që të mos i bashkohej radhëve të UÇK-së dhe luftës sonë të drejtë për çlirimin e Kosovës.

“Me guximin dhe përvojën e tij luftarake, “Abeja” dha kontribut të madh për ta shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e regjimit serb për një Serbi të Madhe një etnike. Meritat dhe heroizmin e tij i vlerëson lart edhe shteti i Kroacisë”, vijoi kreu i shtetit.

“Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula dhanë kontribut të pakrahasueshëm në luftën e UÇK-së, deri sa ranë heroikisht 22 vjet më parë, më 10 gusht 1998, kur iu bashkuan përjetësisht dëshmorëve që u flijuan për lirinë e Kosovës”.

“Atë ditë i humbëm disa prej luftëtarëve më të zotë, por rënia heroike e tyre vetëm sa e rriti moralin dhe motivimin e ushtarëve të UÇK-së, për ta vazhduar rezistencën e armatosur deri në çlirimin e atdheut”, përfundoi Thaçi./Tv Malisheva

Share.