Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deponuar Kallëzim Penal në Prokurorinë e Shtetit kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit.
Ky Kallëzim Penal ndërlidhet me deklaratën e Agim Bahtirit, e cila nga ana e presidentit Thaçi është cilësuar si sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës, dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe nxitje e përçarjes dhe mos durimit.
Më datën 30 mars 2020, Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje kishte deklaruar se nuk do ta lëshojnë Qeverinë pa zgjedhje, duke përmendur edhe vëllavrasjen.
“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe do t’ia kallëzojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hyni në një konflikt vëllavrasje, sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshuar me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj, sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe t’i shpallë zgjedhjet…”, kishte deklaruar Bahtiri.
Me këtë deklaratë publike, sipas Kallëzimit Penal që mësohet se ka bërë presidenti Thaçi, të cilin e ka konfirmuar edhe zyra e tij, Agim Bahtiri ka bërë deklarime që shkojnë në dëm të vendit, të progresit dhe pavarësisë së Kosovës.
Këto deklarimet publike të Bahtirit janë cilësuar si të bëra për frikësimin e opinionit kosovar dhe si kërcënim direkt për presidentin e Kosovës. Me kanosje të dhunës nga ky zyrtar i lartë i Vetëvendosjes, i cili është edhe kryetar komune, sipas Kallëzimit Penal, Bahtiri ka tentuar që të ndryshojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, të përmbysë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës, të pengojë presidentin e Republikës së Kosovës në ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të detyrojë në moskryerjen e veprimeve nga fushëveprimi i detyrave të tij.
Këto vepra penale janë të përcaktuara edhe në Nenin 114 dhe Nenin 121 të Kodit Penal nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas Kallëzimit Penal, me atë deklaratë, duke keqpërdorur pozitën e tij të Kryetarit të Komunës, Bahtiri ka nxitur përçarje dhe mos durim, si dhe ka përhapur publikisht urrejtje, vepër penale e përcaktuar edhe në Nenin 141 të Kodit Penal të Kosovës.
Presidenti i Kosovës, në Kallëzimin Penal të tij, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që në pajtim me legjislacionin në fuqi t’i ndërmarrin veprimet përkatëse.
Pas votimit të Mocionit të Mosbesimit ndaj Qeverisë, presidenti Thaçi ka filluar ndërmarrjen e hapave të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deri më tani ka ftuar të gjitha partitë politike në takime konsultative për të vlerësuar nëse është në interesin e partive politike formimi i Qeverisë së re apo shpërndarja e Kuvendit.
Vullneti i shprehur publikisht i të gjitha partive politike, në përjashtim të Vetëvendosjes, ka qenë dhe mbetet formimi i Qeverisë se re pa shkuar në zgjedhje.
Presidenti Thaçi përmes një shkrese zyrtare i ka kërkuar edhe propozim Lëvizjes Vetëvendosje për mandatar të ri për formimin e Qeverisë së Kosovës. Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë sinjal se e ka në plan të dërgojë emër të ri për mandatar të Qeverisë së re, thuhet në komunikatë./ Tv Malisheva