Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike, përshirë këtu edhe përfaqësuesen e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Thaçi u është drejtuar përfaqësuesve të partive politike që të deklarohen se a janë për organizimin e zgjedhjeve apo për formimin e qeverisë së re.
Në bazë të deklarimeve të të gjitha partive të pranishme ne takim, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ishte në favor të organizimit të zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, kurse partitë tjera në favor të formimit të qeverisë së re.
Mbi bazën e këtyre deklarimeve, Thaçi tha se do t’ia japë mandatin për forimin e qeverisë partisë që garanton shumicën në kuvend.
Gjatë diskutimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën për të propozuar mandatarin për qeverinë e re, përkundër faktit se deri më tani nuk e ka dorëzuar emrin e mandatarit.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se presidenti Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.
Kurti i është përgjigjur letrës së sotme të Thaçit.
Kurti i është përgjigjur letrës së sotme të Thaçit.
“Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe akt gjykimi I Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë iniciativë për të formuar shumicë parlamentare, pasi sipas tij, në kohën e pandemisë së koronavirusit, nuk mund të kërkohet të mbahen zgjedhje të reja.
Ai tha se Kosova ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë.
“Unë mund të them në emër të LDK-së, se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje të themelojmë një qeveri, që mund të qeverisë vendin në mënyrë normale. Qeveria në detyrë nuk i përgjigjet kërkesave që shtrohen para saj për arsye se kuvendi ka shprehur vullnetin me 82 vota me mocion (mosbesimi). Vendit i duhet një qeveri me mandat të plotë”, tha Mustafa.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ky subjekt do të jetë në opozitë kështu që nuk pranon ftesa, siç ka thënë ai, as nga ata që shkojnë dhe e as nga ata që do të vijnë.
“Ne do presim që kur të krijohen kushtet dhe rrethanat, të kemi një momentum të ri, ku pastaj në situatën e re, kemi edhe zgjedhje të cilat janë të jashtëzakonshme”, tha Veseli.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur kundër mbajtjes se zgjedhjeve të reja, por tha se përkrahë formimin e qeverisë se re.
“AAK-ja nuk është për shpërbërje të kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje për faktin që, pasi nuk kemi qeveri dhe jemi në kohë krize, sikurse të shpërbënim edhe parlamentin do ta linim vendin pa një institucion mjaft të rëndësishëm”, është shprehur Haradinaj.
Takimi me liderët politikë, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike./ Tv Malisheva