Presidenti i vendit po kërkon sqarim nga kryeministri në detyrë, ministri i Shëndetësisë dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm për rastin e kthimit të deputetit Behgjet Pacollit në vend, dhe humbjen e jetës së të riut Agon Musliu ditë më parë në karantinë te Qendra e Studentëve. Thaçi konsideron se karantinimi në këtë vend nuk duhet të bëhet në bazë të selektimeve partiake. Ndër të tjera, ai po deklaron se ai nuk respekton vendimet e qeverisë, meqë janë antikushtetuese, por këshillat dhe rekomandimet e IKShP-së.
Kreu i shtetit, të premten ka deklaruar se të gjithë duhet të respektojnë procesin elektoral të 6 tetorit, Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ndër të tjera, sipas tij askush nuk duhet të pretendojë të mbajë të uzurpuara institucionet e vendit.
Thaçi: Askush nuk ka të drejtë të pretendoj të mbajë të uzurpuara zyrat e institucioneve të vendit
“Askush nuk ka të drejtë të pretendoj të mbajë të uzurpuara asnjë zyre të institucioneve të vendit. Ne veçanti pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, dhe përfaqësuesve të popullit. Askush nuk e di se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, askush nuk duhet të paragjykoj apo predikoj se do të jetë ky apo ai vendim, por të gjithë duhet të punojmë me kulturën më të lartë dhe përgjegjësinë më të lartë edhe politike edhe kombëtare demokratike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla duhet të sqarohen për rastin e kthimit të deputetit Behgjet Pacolli në vend dhe humbjen e jetës së të riut Agon Musliu në karantinë te Qendra e Studentëve.
Thaçi: Grupit i Kurtit duhet të sqarohet për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet
“Grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojnë çështjen e jetës për jetën e Pacollit se si kanosej gjatë fluturimit të tij për Prishtinë. Dhe pse Pacolli ka devijuar fluturimin në drejtim të Tiranës, sikurse ka edhe përgjegjësi morale, politike dhe ligjore të japin grupi i Kurtit dhe Vitia, dhe gjithashtu edhe Sveçla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet, sikurse për seleksionimin politik se kush duhet të karantinoret dhe kush jo. Në këtë drejtim ata duhet të përgjigjen sa më shpejt aq më mirë. Në anën tjetër ju e dini që vendimet e qeverisë janë shpallur antikushtetuese sa i përket pandemisë, dhe nuk kam çfarë të shtojë më tepër atyre vendimeve. Prandaj unë respektoj këshillat e IKShP-së dhe jo vendimet antikushtetuese të grupit të Kurtit dhe të tjerëve”, ka theksuar ai.
Thaçi tha se politika, shoqëria civile e as ndërkombëtarët nuk duhet të ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese.
Thaçi: Gjykata Kushtetuese të punojë pa presionin politik
“Presidenca ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese argumentin për dekretin që do të kërkojë kandidatin apo nominimin partisë apo kandidatit Avdullah Hoti. E theksoj edhe një herë sot qenësore për demokracinë në Kosovë, për frymën e republikës parlamentare që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur, pa presionin nga e cila do palë, qoftë politike, qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga Bashkësia Evropiane. Askush nuk mund ta bllokojë vendin dhe institucionet e shtetit, për këtë arsyeje ftoj edhe një herë që të gjithë t’i kontribuojmë formimit të institucioneve të vendit, respektimit të institucioneve të pavarura”, ka shtuar Thaçi.
Derisa ka folur për situatën pandemike në vend, ai tha se Kosova është përballur me sukses deri më tani me sëmundjen Covid-19.
Thaçi pati edhe fjalë të mira për të gjithë ata që kanë shërbyer gjatë kësaj kohe.
Thaçi: Mos të ketë qasje selektive politike për karantinimin në konvikte
“Me një porosi të veçantë, edhe karantinimi në konvikte të bëhet në mënyrë profesionale në raste e nevojshme, e sidomos të mos vazhdojë të ketë qasje selektive politike. Dikush të karantinohet e dikush jo në bazë të lidhjeve dhe preferencave politike. Kështu do ta ruajmë shëndetin, por edhe gjasat për rihapje të shoqërisë, shtetit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë do të rriten”, tha Thaçi.
Veç tjerash, ai ka përsëritur që duhet të ndalen tonet e armiqësisë në skenën politike, dhe se të tejkalohet niveli i ultë i bashkëpunimit me Shqipërinë nga zyra e Albin Kurtit. Mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti me datën 23 mars, sipas Thaçit ka qenë ballafaqim botëkuptimesh, dhe se kryeministri në detyrë sipas tij ka cenuar demokracinë dhe të arriturat 20 vjeçare të Kosovës./ Tv Malisheva