Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i ka kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Share.