Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës shtetërore në Japoni fillimisht ka zhvilluar një takim me përfaqësues të odave ekonomike të Japonisë si dhe me deputetë të parlamentit japonez.
Pas këtij takimi të përbashkët, presidenti Thaçi theksoi se tani është koha që të krijohen disa shembuj konkret të investimeve japoneze në Kosovë. Ai ka thënë se ambienti i të bërit biznes në Kosovë është më konkurrenti në rajon.
Ai po ashtu tha se shumë shpejt do të emërojë një konsull nderi në Osaka, i cili do të jetë një urë lidhëse ndërmjet shteteve, popujve dhe bizneseve të Kosovës.
Sipas presidentit, Kosova si shtet i ri ka potenciale të mëdha për investime, sipas të cilit, Kosova lehtë mund të shndërrohet në një qendër të bizneseve dhe investimeve japoneze që kanë për synim tregun evropian.
“Unë shpresoj se Kosova si shtet i ri dhe i mundësive të mëdha do të jetë një potencial i jashtëzakonshëm për mundësitë e jashtëzakonshme që ka Osaka, Japonia, investitorët e tyre për të investuar në veçanti në sektorin e minierave, në atë të bujqësisë, në energjetikë, në turizëm dimëror, por edhe në shumë sfera të tjera të jetës institucionale, por dhe të ekonomisë në Kosovë në teknologji informative, por edhe për mundësinë e ardhjes së të rinjve kosovar për të studiuar në universitetet prestigjioze këtu në Osaka”, deklaroi ai.
Në këtë takim u konfirmua pjesëmarrja e Kosovës në panairin më të madh në botë “Osaka Expo 2025”, ku Kosova ka siguruar një pavion për promovimin e mundësive investive dhe produkteve të bizneseve.