Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ka thënë se me rënien e këtij muri u sprovua epërsia e sistemit demokratik përballë atij komunist dhe era e lirisë dhe demokracisë u përhap rrufeshëm në Evropën Lindore, por edhe në Ballkan.Sipas Thaçit, ndarja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte plagë e hapur në Evropë. Muri i Berlinit u bë simbol ku kufizoheshin bota e demokracisë perëndimore dhe ajo e diktaturës lindore. Rrëzimi i këtij muri 30 vjet më parë, ishte fundi i luftës së ftohtë, rënie e Perdes së Hekurt dhe bashkim i Gjermanisë.“Me rënien e Murit të Berlinit u sprovua epërsia e sistemit demokratik përballë atij komunist. Era e lirisë dhe demokracisë u përhap rrufeshëm në Evropën Lindore, por edhe në Ballkan. Bashkimi i Gjermanisë ishte fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Urime kombit gjerman”, ka shkruar ai në Facebook.

Share.