Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pranoi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pa rrezikuar funksionimin e shtetit të Kosovës ndërsa kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiç, këmbënguli për mosnjohjen e Kosovës në dialog.

Kështu të paktën ka shkruar ish-shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në librin e saj të fundit të titulluar “And then what – Inside Stories of 21 st-century Diplomacy”.

Ashton, e cila ishte përfaqësuese e lart për politikën e jashtme të Bashkimit Evorpian nga viti 2009 deri në vitin 2014, në librin e saj të fundit i’a ka kushtuar edhe një kapitull për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në libër, ajo përshkruan fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimin e saj me përfaqësuesin special të Bashkimit për dialogun në atë kohë, Fernando Gentilini.

Ashton, në librin e saj ka përshkruar edhe konceptin e marrëveshjeve të para ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili së fundmi është bërë prioriteti kryesor i ndërmjetësuesve amerikanë dhe evropian të dialogut.

“Daçiç ka qenë i gatshëm që t’i largojë struktural paralele që kanë funksionuar në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovë, por duke kërkuar garanci për serbët. Ndërkohë Thaçi ka rënë dakord për një formë të decentralizimit, i cili nuk do të duhej të ishte si Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë dhe që nuk do të kërcënonte fuqinë e Kosovës”, shkruhet në një pjesë të librit të Ashton.

Sipas Daçiç, shkruan më tej Ashton, për të hequr strukturat paralele ai kërkoi që popullatës lokale serbe t’i ofrohet një sistem gjyqësor në të cilin ata mund të besojnë.

Ndërsa Thaçi në anën tjetër, ka shkruar më tej Ashton, e ka bërë të qartë se nuk mund të pranojë një nivele të veçantë të qeverisjes në Veri.

“Ai nuk ishte kundër ndonjë forme të decentralizimit lokal”, ka shkruar Ashton.

“Pas një kohe, Thaçi i tha Daçiç’it se janë afër marrëveshje. Ata thanë se do të mendojnë se si t’i bashkojnë komunat serbe të Kosovës dhe t’u japin atyre identitet dhe qëllim, pa rrezikuar rolin e Qeverisë së Kosovës dhe pa pasur nevojë ta njohin Kosovës si shtet. Për të eliminuar policinë paralele, unë dhe Fernando Gentilini propozuam krijimin e njësive speciale serbe në kuadër të forcës policore të Kosovës. Edhe Thaçi edhe Daçiç ranë dakord se ia vlente të punohej në këtë drejtim”, ka shkruar Ashton.

Dhjetë vjet pas largimit të Ashton-it nga bisedimet, Kosovës dhe Serbisë iu propozua një plan për normalizimin e marrëdhënieve, i cili po njihet si propozimi franko-gjerman në të cilin, përveç Asociacionit, diskutohet edhe mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, që është një pikë e rëndësishme për Prishtinën, ndërsa ajo është e papranueshme për Serbinë.

Propozimi evropian thotë se palët nuk duhet të pengojnë njëra-tjetrën për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare.

Ishte fjalia e fundit, kujton Ashton, që shkaktoi një problem “të madh” dhjetë vjet më parë.

Ajo shkruan se në hartimin e dokumentit me të cilin palët do të pajtoheshin, zyrtarët evropianë janë bindur nga pala e Kosovës që të futet një fjali në të cilën theksohet se palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare.

“Në hartimin e dokumentit të shkurtër, pala nga Kosova na bindi që të shtojmë një fjali që thotë se asnjë palë nuk duhet të bllokojë rrugën e palës tjetër drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Ne menduam se dukej mjaft e padëmshme, gjë që tregon se ishim shumë të interesuar për ta realizuar atë. Aleksandar Vuçiç dhe Daçiç e kanë refuzuar menjëherë, duke sqaruar se bëhet fjalë për njohjen e Kosovës si shtet dhe se është një çështje e re që është përfshirë në bisedime. Bëmë një gabim”, theksoi Ashton.

Ashton thekson se Vuçiç ka propozuar që të bëhet një kompromis dhe të ndryshohet ajo fjali dhe të pajtohen që palët të mos ndërhyjnë më në njëra-tjetrën.

“Vuçiç u përpoq të ndihmojë, duke sugjeruar një kompromis, të përdorë fjalët e Këshillit të Bashkimit Evropian se ‘asnjë palë nuk duhet të pengojë rrugën e palës tjetër drejt Bashkimit Evropian’. Kjo ishte më e lehtë dhe i dha diçka Kosovës, kështu që ia paraqita skuadrës së Thaçit. Ata u çmendën”, ka shkruar Ashton, duke shtuar se pala nga Kosova pas kësaj nuk dëshironte të kthehet në negociata.

/TV Malisheva 

Share.