Dy ditë pas largimit të masave të reciprocitetit, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar sot se Kosova është gati për dialogun me Serbinë. Për këtë është shprehur optimist se marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet këtë vit, me qëllim siç tha, njohjen reciproke dhe përshpejtimin për anëtarësim në OKB.
I pari i shtetit në konferencën e së hënës kërkoi unitet, pasi sipas tij çdo herë kur kanë qenë bashkë përballë Serbisë kanë arritur suksese.
Thaçi: Kosova është gati për dialogun me Serbinë
“Kosova e ka të qartë çka kërkon në dialog. Kërkon njohjen reciproke dhe përshpejtimin e rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Mbi të gjitha Kosova në këtë proces është bashkë me ShBA-të dhe gjithë aleatët e tjerë. Nuk kemi çka të hezitojmë është një rrugëtim i sigurt që ne kemi shpresë se do të përmbyllet sipas vullnetit të qytetarëve të vendit. Duhet të lëvizim sa më shpejtë në këtë drejtim, në mënyrë që të jemi sa më shpejtë pjesë edhe e NATO-së, BE-së dhe të gjitha organizatave tjera ndërkombëtare në mënyrë që të konsolidojmë shtetin në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Prandaj Kosova është gati, do të punojmë që të jemi sa më unik dhe të bashkuar. Të plotësojmë njëri-tjetrin”, tha ai.
Krahas kësaj, kreu i vendit tha se gjërat nën dinamikën e SHBA-ve do të lëvizin në drejtimin e duhur.
Thaçi: Jam optimist se gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur
“Se a do të arrihet marrëveshja brenda këtij viti, unë jam optimist se gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur. Kam besim të plotë në dinamikën e SHBA-së”, tha ai.
I pyetur se kush do të udhëheq dialogun me Serbinë, Thaçi tha se duhet të jenë të bashkuar.
Thaçi: Nuk jemi në garë në përballje me Serbinë
“Ne përballë Serbisë gjithmonë kemi qenë të bashkuar, çdo herë kur kemi qenë të unifikuar si institucione, liderë kemi dalë mirë. Ne nuk jemi në garë përballë Serbisë, jemi për të plotësuar njëri-tjetrin, duke koordinuar dhe një platformë të qartë për të lëvizur procesin përpara”, tha ai.
Në këtë konferencë për medie, i pari i shtetit foli edhe për mundësinë që Kosova të shpall gjendjen e jashtëzakonshme, duke parë rritjen e rasteve me Covid-19.
Sipas tij, tashmë nuk janë rrethanat e jashtëzakonshme dhe duhet respektuar rekomandimet e IKShP-së.
Thaçi: Si term e kam urryer gjithmonë gjendjen e jashtëzakonshme
“Nëse do të ketë përkeqësim të gjendjes atëherë institucionet në Kosovë do të detyrohen të kthejnë masat për të parandaluar Covid-19. Kjo pastaj do të prek rëndë rimëkëmbjen e ekonomisë. Për gjendjen e jashtëzakonshme edhe si term tërë jetën time e kam urryer qysh nga koha kur e kam përjetuar edhe si nxënës dhe student nga Serbia. Por në atë kohë kemi pasur një rrethanë të jashtëzakonshme të ndjekur nga një shtet që ka kryer gjenocid në Kosovë. Ideja që partitë politike iu kanë drejtuar presidentit të vendit për gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai.
Për nënshkrimin e kthimit të ambasadorëve që i ka iniciuar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i pari i shtetit nuk dha përgjigje, por tha se janë në proces dhe do të merr vendim në përputhje me Kushtetutën./Tv Malisheva