Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të PDK-së, Kadri Veseli, për të diskutuar për situatën e krijuar pas rrëzimit të qeverisë. Pas takimeve, Thaçi tha se hapat e mëtejmë do t’i ndërmarrë në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat e mëhershme për të cilat tha se kanë qenë praktika të deklaruara sipas vullnetit politik të partive.

Thaçi tha se konsultat me partitë politike po i zhvillon me qëllim të krijimit të një baze të opinioneve dhe të formësojë veprimet e mëtejmë që siç tha ai duhet t’i ndërmarrë si president pas shkarkimit të qeverisë.

Thaci: Veprimet tutje do i ndërmarr në bazë të ligjeve dhe praktikave të mëhershme

“Bazë e ime për më tutje do të jetë respektimi i plotë i legjitimiteti qytetar të 6 tetorit duke marrë parasysh në tërësi edhe mocionin e votëbesimit apo shkarkimit të qeverisë më 25 mars. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarrë si president i vendit pas konsultimeve që do t’i zhvillojë edhe nesër, do të jenë transparente, do të jenë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet por edhe praktikat e mëhershme. E praktikat e mëhershme kanë qenë ato të deklaruara sipas vullnetit politik të partive politike. Pra, do të jetë një proces i konsultuar, do të jetë kushtetues dhe ligjor për çka ju do të informohemi menjëherë pas përfundimit të gjitha konsultave që i kam planifikuar t’i zhvilloj edhe nesër”, tha Thaçi.

Thaçi, duke përmendur gjendjen e krijuar nga Covid19 në Kosovë dhe duke bërë thirrje të respektohen këshillat e Institut Kombëtar të Shëndetit Publik, tha se pavarësisht g jendjes emergjente shëndetësore, jeta institucionale vazhdon.

Thaçi: Pavarësisht vështirësive me koronavirus, jeta institucionale vazhdon

“Pavarësisht vështirësive që i kemi nga koronavirusi, jeta institucionale në Kosovë vazhdon dhe natyrisht funksionimi i demokracisë do të vazhdojë. Sot, si president i vendit duke respektuar në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, mandatin tim si president, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës më 25 mars, jam i detyruar duke respektua Kushtetutën dhe ligjet e vendit, për të filluar konsultat me partitë politike, me liderët e tyre politikë për hapat e mëtutjeshëm të funksionimet të institucioneve të republikës së Kosovës, apo të themelimit të institucioneve të reja qeverisë së re”, tha ai.

Në kabinetin e presidentit sot i pari në takim u prit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili më pas deklaroi se pas mocionit të mosbesimit vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Kurti theksoi se me presidentin mund të takohet e të bisedojë vetëm për temën e koronavirusit dhe shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa çështje të tjera vetëm me shkrim.

Thaçi takoi pastaj kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa i cili tha se nuk është koha për zgjedhje por për një qeveri të re e cila do të vazhdonte luftën ndaj koronavirusit.

Gjithashtu, në takim u prit edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili theksoi se qëndrimi i kësaj parti është të jetë në opozitë, por që sipas tij, për shkak të pandemisë tani nuk është koha për zgjedhje të reja.

Thaçi nesër do të vazhdojë takime të ndara me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Listen Serbe dhe 6+./Tv Malisheva

Share.