Skuadra e Malishevës përmes një njoftimi zyrtar ka njoftuar sot për shkarkimin nga detyra e trajnerit Arsim Thaqin.

Thaqi u shkarkua pas gjashtë ndeshjeve në krye të Malishevës këtë sezon, ku kjo e fundit e cilësoi si një fushatë zhgënjyese deri tani.

Tani, trajneri Thaqi ka treguar se nuk e di se si erdhi deri te ky vendim, pasi që presidenti i klubit është jashtë vendit për ta shikuar ndeshjen mes Slavia Pragues e Ballkanit.

Në një intervistë, Thaqi tha se vendimi për shkarkim i është komunikuar përmes një telefonate nga një anëtarë i bordit, ndërsa tregoi se klubi ende nuk i ka kryer obligimet e veta ndaj tij.

Thaqi: Përderisa nuk ka komunikim nga presidenti, unë e marr hajgare këtë punë

“Po nuk e di, presidenti është jashtë…., ka shkuar për ta shikuar Ballkanin. Nuk e di unë përveç një komunikimi me një anëtarë të bordit që kam komunikuar, që ka thënë së e ka thirr presidenti dhe i ka thënë se nuk jam më….presidenti duhet me ardh mu ul përballë dhe me shiku a i ka përmbush ai obligimet e veta, dhe më pastaj ta gjejmë një zgjidhje. Unë e kam kontratën deri në qershor të vitit 2023, duhet për të përfunduar kushtet dhe obligimet e secilës palë. Për të shkarkuar është shkarku edhe trajneri i Kosovës….normal edhe trajneri i Malishevës shkarkohet, po obligimet që i ka klubi ndaj tij i merr përsipër klubi edhe pastaj jemi në rregull, por përderisa nuk kemi një komunikim me presidentin unë e marr pak hajgare këtë punë”, tha Thaqi.

Më tej, Thaqi tregoi se klubi ka obligime për të kryer ndaj tij, pasi që kur njëra palë vendos për shkarkim duhet të bëjë një marrëveshje për shkëputje të dyanshme.

Thaqi: Obligimet nuk janë kryer të asnjë viti, dëshiron me shkëput kontratën e bënë një marrëveshje tjetër

“Nuk janë kryer të asnjë viti por normal nëse e shkëput dhe nëse kemi marrëveshje me shkrim atëherë marrëveshjen paraprake e ndryshon një marrëveshje tjetër. Dëshiron me shkëput kontratën e bënë marrëveshjen tjetër për shkëputje të dyanshme. Momentin që njëra palë e shkëput njëanshëm atëherë i merr obligimet ajo pala që i ka nënshkruar njëanshëm”, tha Thaqi.

Po ashtu, tanimë ish-trajner i Malishevës, Thaqi tregoi se ka mbetur i habitur nga ky vendim pasi klubi deri tani është brenda objektivave të këtij sezoni, ndërsa fajësoi klubin se kushtet kanë qenë faktorë që lojtarët të mos e bëjnë me vullnet punën e tyre.

Thaqi: Nuk e kam prit për shkak se jemi brenda objektivave të klubit, ekipi ka punu ma shumë se çfarë ka bërë klubi

Nuk e kom prit këtë për shkak se jemi brenda objektivave, është fillim i kampionatit, edhe unë nuk e kom pretendu që Malisheva mundet me ndërtu një ekip që mundet me dominu Prishtinën ose ligën. Por, gradualisht unë ekipin e kom bë atë që më ka taku mu, po mendoj që ekipi ka avancu ma shumë se sa që ka punu klubi për kushtet. Kushtet te na nuk kanë qenë për këtë nivel për lojtarët që i ka Malisheva, por tu prit që gjërat kanë mu përmirsu, gjërat shkuan duke u përkeqësuar, sa i përket kushteve po foli, se normal që këto kushte këto rrethana kanë qenë edhe paksa vështirë për këta lojtarë që me bo punën e tyre”, tha Thaqi.

Për fund, Thaqi e cilësoi vendimin e presidentit si qesharak, pasi që kontributi i tij duhej të vlerësohej edhe nga presidenti, dhe jo të merret vendimi përmes një telefonate larg vendit.

Thaqi: Kontributi im duhet të vlerësohet nga presidenti, vendimet përmes telefonit janë jo profesionale për mua

“Kontributi jem ish dasht mu vlerësu edhe prej presidentit. Këto vendimet prej së largëti e me telefon janë jo profesionale për mu, le ta komenton ai presidenti qysh të dëshiron, por është total jo profesional në këtë vendim. Është dashtë me prit me qenë më njerëzorë”, tha Thaqi.

Në krye me trajnerin Arsim Thaqi, skuadra e Malishevës në gjashtë ndeshje të zhvilluara në këtë sezon ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe tri humbje, kështu duke u renditur në vendin e gjashtë me shtatë pikë të arkëtuara.

/TV Malisheva

Share.