Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë tha të martën se vendimi i Serbisë për ta shpallur sekretarin e parë të Ambasadës së Kroacisë në Beograd si persona “non grata” i përkeqëson marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e destabilizon situatën në rajon.

Me 20 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e shpalli Hrvoje Shnajderin person të padëshirueshëm në Serbi sepse ai “i ka tejkaluar kufijtë e normave diplomatike”, pa dhënë ndonjë shpjegim tjetër.

Kroacia e ka kundërshtuar vendimin e Serbisë duke thënë se nuk i pranon “arsyet për dëbimin e një diplomati të akredituar kroat.”

“Vendimi i lartpërmendur i Republikës së Serbisë paraqet një hap drejt përkeqësimit të marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe destabilizimit të mëtejshëm të situatave të ndjeshme politike dhe të sigurisë rajonale në një kohë kur stabiliteti i Evropës Juglindore është i një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë Evropën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kroate.

Ministria kroate tha se ndihet e shqetësuar se dëbimi i diplomatit kroat “paraqet presion shtesë ndaj punonjësve të ambasadës kroate në Beograd, i cili posaçërisht manifestohet në periudhën parazgjedhore në Republikën e Serbisë”.

“Shprehim keqardhjen tonë që përshkallëzimi i parashikuar i marrëdhënieve nga Republika e Serbisë në këtë kohë u realizua me një vendim drastik për dëbimin e diplomatëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme kroate.

Ambasada kroate në Serbi nuk e bëri të ditur këtë vendim me të cilin Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë e shpalli Shnajderin persona “non grata” më 20 nëntor për shkak se ai “i ka tejkaluar kufijtë e normave diplomatike”.

/TV Malisheva

Share.