Tirana është përzgjedhur nga UNICEF-i si histori suksesi për punën që ka bërë për fëmijët, që nga shtimi i hapësirave argëtuese dhe të gjelbra, këndet e lojërave, çerdhet, kopshtet e shkollat.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuar në Samitin e Parë Ndërkombëtar për Qytetet Miqësore për Fëmijë të organizuar nga UNICEF-i dhe Bashkia e Këlnit në Gjermani, për të rrëfyer sfidat me të cilat u përball në këto 4 vite, për ta shndërruar Tiranën në një qytet model, ku të parët janë fëmijët. Ai tha se një qytet që investon për fëmijët, investon për një të ardhme më të mirë të shoqërisë.
“Ishte një kënaqësi e veçantë që, në Forumin Global të UNICEF-it, të prezantonim Tiranën si një histori suksesi i një qyteti miqësor për fëmijët. Jemi fokusuar shumë te fëmijët, e filluam me këndet e lodrave, me kopshtet, me çerdhet, tani po vazhdojmë me 17 shkollat e reja, me fëmijët që mbjellin pemë, që mësojnë biçikletën. Një qytet që nuk investon te ata, është një qytet pa të ardhme. Por, unë besoj se e ardhmja europiane e Tiranës, është investimi që po bëjmë te fëmijët sot”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se ky vlerësim është një motivim më shumë që puna e nisur para 4 vitesh të vijojë edhe në këtë mandat të dytë, me më shumë kënde lojërash e institucione arsimore më të mira, që nga çerdhet e deri te shkollat.
“Mezi pres që pas këtij vlerësimi që morëm nga UNICEF-i si qyteti model, që me kushte modeste transformon realitetin për fëmijët, të vazhdojmë çdo muaj me nga një kënd lodrash, me 17 shkollat e reja, me dietat e reja në kopshte dhe çerdhe”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se një tjetër synim është që në bashkëpunim edhe me kompanitë e mëdha private, të bëhet e mundur krijimi i çerdheve dhe kopshteve në ambientet e tyre, për të siguruar një rritje dhe zhvillim sa më të mirë të fëmijëve.
“Të fusim dhe privatët, sidomos kompanitë që të krijojnë një çerdhe ose kopsht në ambientet e tyre, sepse besoj që Tirana e të ardhmes është Tirana e fëmijëve. Ne të rriturit mund të kemi bërë gabimet tona, mund të kemi harxhuar kohë në të kaluarën, por sot duhet të mendojmë për fëmijët. Një qytet që mendon për fëmijët, që nuk merret shumë me gërr-vërret politike, që bllokon dhe pengon gjithë arritjet dhe gjithë projektet e fëmijëve, është një qytet që ka të ardhme”, – theksoi kryebashkiaku/TCH.