Pandemia dhe kërkesa e qeverisë për pezullim të shitjeve, kanë qenë arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e të hyrave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2020.
Kështu deklaroi drejtori i AKP-së Valon Tolaj, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku sot është shqyrtuar raportin vjetor i kësaj Agjencie për vitin 2020.
Tolaj tha se janë rreth 17 milionë euro të hyra nga shitjet dhe shpronësimet, derisa përmendi se gjatë vitit 2020 ka pasur edhe rënie të të hyrave nga qiratë.
Tolaj: Dy faktorë të jashtëm kanë ndikuar që Agjencia për vitin 2020 të ketë të hyra më të vogla
“Si çdo institucion tjetër edhe AKP vitin 2020 nuk e ka pasur të lehtë për dy arsye, krahasuar me vitin 2019 ka pasur nuk i themi rënie të performancës por ka pasur tregues negativë për arsye të cilat për faktorë të jashtëm. Çka nënkupton kjo, pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për shkak të rrethanave të cilat jemi gjetur jo vetëm ne por i gjithë vendi dhe me gjerë. Pastaj, ka pasur vendime dhe kërkesa nga ana e qeverisë për pezullime të përkohshme të procesit të shitjes të aseteve të ndërmarrjeve publike dhe për pasojë ne nuk e kemi zhvilluar shitje, por kemi pasur veprimtari të rregullt të shpërndarjeve të 20 përqindëshit. Këta dy faktorë të jashtëm kanë ndikuar që Agjencia për vitin 2020 të ketë të hyra më të vogla krahasim me vitin 2019, ka rënie të të hyrave. Diku rreth 17 milionë euro kemi të hyra nga shitjet, shpronësimet dhe e drejta pronësore, banesore që ne i quajmë. Kryesisht këto të hyra janë nga kontratat e vitit paraprak nga këto shitje që janë realizuar ose janë finalizuar kontratat në vitin 2020. Ka rënie të qerasë, të të hyrave nga qiraja për dallim nga viti 2019 për faktin e gjendjes së pandemisë”, tha ai.
Tolaj tha se gjatë vitit 2020 ka pasur rritje të shpërndarjes së 20 përqindëshit, ku tha se janë rreth 16 milionë euro që janë shpërndarë tek përfituesit.
Tolaj: Për fat të mirë ka pasur rritje të shpërndarjeve të 20 përqindëshit
“Për fat të mirë ka pasur rritje të shpërndarjeve të 20 përqindëshit, për çka ne kemi punuar bukur dhe me intensitet të lartë, duke e marr parasysh prapë situatën çfarë kemi qenë, ka një rritje serioze të shpërndarjes së 20 përqindëshit, qysh e keni në raport janë diku rreth 16 milionë euro që janë shpërndarë vitin 2020 tek përfituesit që kanë qenë diku afërsisht rreth 14 mijë përfitues nga lista e 20 përqindëshit. Edhe tek kreditorët është rritur intensiteti kohët e fundit, ka rritje serioze të shpërndarjes së kreditorëve, kërkesat e kreditorëve të aprovuara. Proces i tejzgjatur jashtëzakonisht shumë edhe aty kemi arritur që gjatë vitit 2020 t’i shpërndajmë diku rreth 7 milionë euro”, tha ai.
Kryetari i Komisionit Ferat Shala, ka pyetur rreth asaj se a ka brenda AKP-së njësi që monitoron apo punon me “Trepçën”.
Shala: A ka hala njësi brenda AKP-së që e monitoron apo punon me “Trepçën”
“Zbatimi i Ligjit të Trepçës në raport me AKP-në, a ka filluar të zbatohet Ligji për Trepçën, a ka filluar ndonjë proces që do të duhej të derivojë nga Ligji i Trepçës në relacion me AKP-në, sepse dihet që AKP ka menaxhuar një periudhë të caktuar apo deri në çfarë shkalle ka shkuar kjo ndarje dhe ku jemi në relacionin Trepçë-AKP edhe në kuptimin legjislativ edhe në kuptimin menaxhues. Unë e kuptoj pak a shumë por mesa e di Ligji i Trepçës i ka disa specifika që do të duhej AKP dhe Trepça në koordinim të plotë ta bëjnë një proces të selektimit të ndarjes apo procesit të definimit të aseteve aktive dhe pasive, a ka hala njësi brenda AKP-së që e monitoron apo punon me Trepçën apo gjithçka ka përfunduar në këtë relacion”, tha ai.
Në përgjigjen e tij, drejtori i AKP-së Valon Tolaj, tha se ende ka një njësi në AKP që është e dedikuar për Trepçën, por tha se AKP tashmë ka dorëzuar pronësinë e xhirollogarive bankare tek Trepça.
Tolaj: Veprimi i fundit i AKP-së ka qenë dorëzimi i xhirollogarive
“Është një zyre shumë e vogël duke marrë parasysh që Trepça tashmë është ndërmarrje publike, shoqëri aksionare. Veprimi i fundit i AKP-së ka qenë dorëzimi i xhirollogarive, i pronësisë së xhirollogarive bankare, kjo ka qenë e vitit 2019, për shkak se xhirollogaritë bankare të Trepçës kanë qenë në pronësi të AKP-së. Ky ka qenë proces jo i lehtë për shkak që kanë qenë të involvuar Qeveria, përfaqësuesit e ambasadave, përfaqësues të Trepçës dhe atë kemi arritur ta finalizojmë. Praktikisht ATK ka dorëzuar të gjitha asetet të cilat me ligj, Ligji mbi Trepçën dhe statutin e saj i takojnë tashmë ndërmarrjes publike Trepça”, tha ai.
Pozita e mëhershme e sekretarit ekzekutiv të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të tashmë drejtorit të AKP-së Valon Tolaj, ka qenë shkak i përplasjes në mes tij dhe deputetes së LVV-së Mimoza Kusari-Lila. Kjo e fundit ka kritikuar raportin për çka tha se në AKP kanë ra të hyrat, por që shpenzimet kanë mbetur të njëjta.
Kusari-Tolaj: Ku keni qenë ju para se të vinte z.Ramush Haradinaj si kryeministër
“Ku keni qenë ju para se të vinte z.Ramush Haradinaj si kryeministër i Republikës së Kosovës, në raport me ciklet zgjedhore. Se nuk po dua t’iu potencoj juve konkretisht, ku keni qenë ju personalisht me punë se jeni drejtor, jeni person publik, mbani përgjegjësi publike njëjtë sikurse edhe unë, ku keni qenë ju me angazhim tuajin në shtator të vitit 2017 kur z.Ramush Haradinaj është bërë kryeministër. Tolaj: Kam qenë sekretar ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kusari: Kur jeni emëruar si drejtor menaxhues i AKP-së? Tolaj: Jam emëruar në tetor të vitit 2018. Kusari: Nuk ka nevojë për përgjigje të tjera, në fakt nuk ka për më tutje sqarime, kaq është. Në raport me ndikimet politike se ka edhe punësime të tjera, një sekretar i një partisë, jo sekretar i një dege as një anëtar i thjeshtë, sekretar i përgjithshëm me vite të tëra që njihet në opinion veç për qatë funksion sot vjen raporton në komision dhe thotë se nuk ka ndikime politike. Tolaj: A keni ju një fakt të ndikimit. Jam i gatshëm të përgjigje për të gjitha, por kur akuzohem të akuzohem me fakte dhe ju pretendoni se ka një ndikim politik unë jam i gatshëm të përgjigjem, ju po me akuzoni personalisht”, vazhdoi përplasja në mes tyre.
Komisioni në këtë mbledhje me 5 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim ka miratuar vendimin e qeverisë për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP – me material shtesë; si dhe ka marrë vendim për formimin e panelit për zhvillimin e procesit të intervistimit për zgjedhjen e “Drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit” dhe “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit”, në të cilin do të marrin pjesë të gjithë deputetët e këtij komisioni./TV Malisheva