Të martën e 5 prillit bëhen 30 vjet nga fillimi i rrethimit të Sarajevës nga forcat e ushtrisë serbe.
Në këtë ditë, më 1992, pësuan edhe viktimat e para nga snajperistët serbë.
Suada Dillberoviq dhe Ollga Suçiq u vranë në një urë të qytetit, që sot mban emrin e tyre.
Rrethimi i Sarajevës ishte një nga rrethimet më të gjata në historinë e luftës moderne dhe më i gjati i një kryeqyteti që ka ndodhur ndonjëherë.
Rrethimi ka zgjatur deri më 29 shkurt, 1996 – saktësisht 1,460 ditë.
Gjatë rrethimit, Sarajeva ishte pothuajse plotësisht e shkëputur nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, me mungesa ushqimesh, energjisë elektrike, gazit, ilaçesh dhe ujit.
Gjatë asaj periudhe, në qytet kanë rënë qindra mijëra granata, duke vrarë më shumë se 11,500 njerëz – në mesin e tyre rreth 1,600 fëmijë.
Udhëheqësi i atëhershëm i ushtrisë serbe, Ratko Mlladiq, ka dhënë urdhër që të qëllohej në të gjitha objektivat civile joserbe në Sarajevë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e ka dënuar më pas atë me burgim të përjetshëm, për akuza që përfshinin edhe terrorizimin e civilëve në Sarajevë.
Për akuza të ngjashme është dënuar njësoj edhe ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.
Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata e Hagës ka dënuar tre komandantë serbë: Stanisllav Galliqin, Dragomir Millosheviqin dhe Momçillo Perishiqin./REL
/TV Malisheva