Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se një paralajmërimi i ekspertit për sëmundje infektuese, Anthony Fauci, rreth lehtësimit të masave kufizuese shumë shpejt, ka qenë i papranueshëm.
Ai ka akuzuar Faucin se dëshiron “të luajë të gjitha anët e ekuacionit” në dëshminë që ka bërë para ligjvënësve të martën.
Presidenti ka thënë se ka qenë tejet i pakënaqur me deklaratën e Faucit rreth hapjes së shkollave shumë shpejt.
“Unë kam qenë i befasuar nga përgjigja e tij, sepse nuk ka qenë përgjigjje e pranueshme, sidomos kur është fjala për shkollat”, ka thënë presidenti para gazetarëve.
Fauci ka theksuar se është e rëndësishme të mos mendohet se fëmijët janë plotësisht imunë ndaj efekteve të koronavirusit.
Presidenti amerikan synon të lejejë kthimin e banorëve të Shteteve të Bashkuara në punë, andaj edhe ka përshëndetur vendimet e disa governatorëve që mendojnë njëjtë.
Fauci ka thënë të martën para Kongresit se rihapja e parakohshme e ekonomisë amerikane mund të rezultojë me shpërthime tjera të koronavirusit.
Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese dhe Alergji ka paralajmëruar një panel të Senatit amerikan se shtetet duhet të ndjekin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë dhe të presin derisa të ulet numri i të infektuarve para rihapjes.
“Nëse disa zona, qytete apo shtete, hapen para kohës, pa pasur kapacitetet që të përgjigjjen me efikasitet, shqetësimi im është se ne do të shohim shenja të vogla që mund të kthehen në shpërthime. Pasojat mund të jenë shumë serioze”, ka deklaruar ai.
Sëmundja, Covid-19, që shkakton koronavirusi ka infektuar 1.4 milionë persona në Shtetet e Bashkuara, dhe ka vrarë 84,000 në mesin e tyre./ Tv Malisheva