Pas largimit të trupave ruse nga veriu i Ukrainës, janë zbuluar llogoret e hapura prej tyre në një pyll pranë impiantit bërthamor të Çernobilit, ku niveli i radioaktivitetit është aq i lartë, saqë as punonjësit me veshje speciale nuk lejohen të futen aty.

Pamjet e llogoreve u publikuan të mërkurën nga autoritetet ukrainase. Video, e filmuar nga ushtria e Ukrainës dhe e publikuar në kanalin e Telegram të Energoatom, kompanisë që operon centralin bërthamor, tregon gropat e mbetura bosh dhe fortifikimet e braktisura ushtarake në zonën e njohur si Pylli i Kuq.

Sipas Reuters, pylli i pishave mori këtë emër pasi të gjitha pemën morën ngjyrë të kuqe pas shpërthimit të Çernobilit në vitin 1986, që deri më sot është fatkeqësia më e madhe bërthamore në Tokë. Niveli i rrezatimit aty është tepër i lartë dhe sipas punonjësve të centralit, ushtarët rusë nuk kishin veshur pajisjet e duhura për të qëndruar aty.

Çernobili ra në duart e rusëve që në javën e parë të luftës, por të enjten e kaluar ata deklaruan se do të largoheshin dhe i dorëzuan kontrollin sërish personelit ukrainas. Tashmë, centrali është në kontroll të plotë të autoriteteve ukrainase.

/TV Malisheva

Share.