I njohur si “truri i Putinit”, filozofi rus Aleksandër Dugin, në shkrimin e tij të parë të botuar që nga ekzekutimi me eksploziv në veturën e vajzës së tij, Darja Dugina, ka bërë thirrje për mobilizim në Rusi, duke lajmëruar për një “luftë të madhe mes Perëndimit dhe Rusisë”, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Kundërsulmet e Kievit ishin në përgjithësi të pasuksesshme në rajonit e Khersonit, por fatkeqësisht të suksesshme në rajonit e Kharkivit. Ka pas një reversion në rajonin e Kharkiv-it dhe një tërheqje të detyruar të forcave tona”, ka shkruar Dugin teksa thotë se Rusia është tashmë në luftë me Perëndimin.
“Ne jemi buzë Luftës së Tretë Botërore, në të cilën Perëndimi me obesion po na shtynë. Kjo s’ka të bëjë më me frikë ose paramendim, këto janë fakte. Rusia është në luftë me Perëndimin kolektiv, me NATO-n dhe aleatët e saj (edhe pse jo me të gjithë – Turqia dhe Greqia kanë pozicionet e tyre, dhe një numër vendesh evropiane, në rend të parë Franca dhe Italia, por jo vetëm ato, nuk duan të marrin pjesë në luftën me Rusinë. Megjithëkëtë, kërcënimi për një luftë të tretë botërore po afrohet”, ka shkruar Aleksandër Dugin.
“Nëse armët bërthamore do të përdoren është një pyetje e hapur. Por probabiliteti i Armagedonit bërthamor po rritet çdo ditë. Është mjaft e qartë, dhe shumë udhëheqës ushtarakë amerikanë e shpallin hapur atë, se Perëndimi nuk do të jetë më i kënaqur edhe me tërheqjen tonë të plotë nga territori i ish-Ukrainës, ata duan t’i japin fund në tokën tonë, duke këmbëngulur në ‘dorëzimin e pakushtëzuar’ (Jens Stoltenberg), ‘de-imperializimin’ (Ben Hodges), copëtimin e Rusisë”, shkruan Dugin.
Dugin thotë se pushtimi, që ai e quan sipas narracionit të Kremlinit “operacion special ushtarak në Ukrainë” ka përfunduar.
“Mobilizimi është i pashmangshëm”, thotë Dugin. “Rusia ka nevojë për mobilizimin dhe formimin e brigadave me rusofilë nga e gjithë bota”, beson Dugin.
“Mobilizimi është i pashmangshëm. Lufta ka të bëjë me të gjithë dhe gjithçka. Megjithatë, mobilizim nuk do të thotë dërgim me forcë të rekrutëve në front. Kjo mund të shmanget – për shembull, duke formuar një lëvizje vullnetare të plotë – me përfitimet dhe mbështetjen e nevojshme nga shteti”.
“Ne duhet të mbështetemi te veteranët, në një mbështetje të veçantë për ushtarët e Novorusisë. Rusia ka mbështetës jashtë. Ne nuk duhet të hezitojmë të formojmë brigada ndërkombëtare anti-naziste anti-globaliste nga njerëz të ndershëm nga vendet e Lindjes dhe Perëndimit”, shkruan ai.
“Por gjëja kryesore është se rusët nuk duhet të nënvlerësohen. Ne jemi një komb heroik. Me një kosto të madhe kemi mundur një armik të tmerrshëm më shumë se një ose dy herë në historinë tonë të lavdishme. Dhe këtë herë do të fitojmë, qoftë vetëm këtë herë. lufta kundër Perëndimit bëhet popullore. Ne fitojmë luftërat e njerëzve – luftërat në të cilat zgjohet një komb gjigant”, shkruan Aleksandër Dugin.