Rrjeti social Twitter njofton ka filluar etiketimin e përmbajtjes së prodhuar nga mediet që thotë se janë nën kontrollin e shtetit.
Profilet e disa medieve kryesore në vend, përfshirë Kurir, Informer, Tanjug, Politika, Televizija Happy, Pink, Prva, B92 dhe RTS tani mbajnë njoftimin për lexuesin se ato janë “medie bashkëpunojnë me shtetin”.
Siç vërehet në rregulloren e këtij rrjeti social, Twitter i përcakton mediet e lidhura me shtetin si “media ku shteti ushtron kontroll mbi përmbajtjen editoriale përmes burimeve financiare, presioneve të drejtpërdrejta ose të tërthorta politike dhe/ose kontroll mbi prodhimin dhe shpërndarjen e informatave”.
Mediet në fjalë perceptohen gjerësisht si pro-qeveritare për shkak të raportimit të tyre shumë pozitiv ndaj qeverisë dhe kritikave të ashpra ndaj opozitës.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Çështjet Evropiane në Serbi, Naim Beshiri pavarësia e medieve në këtë vend është një kategori e kufizuar.
“Twitter më në fund vuri në shënjestër mediet që janë në bashkëpunim me autoritetet në Serbi, thjesht se, nëse nuk e dini, pavarësia e medieve në Serbi është një kategori e kufizuar. Me fjalë të tjera, të gjithë raportojnë siç thotë kabineti dhe në këmbim marrin rroga. Përjashtimet janë të rralla”, shkruan Beshiri në Facebook.
Ndërsa, për ekspertin e sigurisë, Mentor Hoxhaj identifikimi i këtyre mediave iu mundëson lexuesve të kuptojnë më të lehtë të lajmit nëse është i njëanshëm, ka prapavijë politike, është i rremë apo propagandë.
“Një ndër masat të cilat rrjetet sociale kanë marr lidhur me transparencën e medieve është dhe kjo që lexuesi të kuptoj se media është e afërt, në këtë rast me qeverinë. Kjo i mundëson lexuesit të kuptoj më mirë lajmin dhe propagandën. Jo vetëm në rastin kur lajmi mund të jetë i njëanshëm, por dhe në rastet kur merret fushatë dezinformuese për një qëllim të caktuar. Lexuesi në këto raste, lajmet e publikuara nga këto media i merr me rezervë”, thotë Hoxhaj.
Vitin e kaluar, Twitter fshiu 8,558 llogari të përfshira në “veprimtari të koordinuar jo autentike”, apo rreth 43 milionë cicërima të opozitës serbe, medieve të pavarura dhe kritikët e pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq./TV Malisheva