Me një ceremoni zyrtare të organizuar nga Gjimnazi “Hamdi Berisha” në Malishevë, sot rreth 370 maturantë të këtij gjimnazi, i kanë marrë diplomat e përfundimit të shkollimit të mesëm. Në këtë ceremoni, bashkë me maturantët, profesorët e prindërit, ishin të pranishëm edhe i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi dhe mysafir e zyrtarë të tjerë.

Fillimisht, të gjithë maturantët i ka uruar drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Izet Hoti, i cili ju ka dëshiruar suksese në studime dhe i ka falënderuar 93 mësimdhënësit e këtij gjimnazi, të cilët për tri vite me radhë, i kanë mësuar e edukuar këtë gjeneratë të maturantëve.

Më pas, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i ka uruar të gjithë maturantët, të cilët sot edhe zyrtarisht po i marrin diplomat e përfundimit të shkollimit të mesëm dhe i ka falënderuar për të gjitha të arriturat gjatë këtyre tri viteve, duke e përfaqësuar jo vetëm gjimnazin, por edhe tërë Komunën e Malishevës, në mënyrën më të mirë, në aktivitete të ndryshme. “Ju jeni e ardhmja e jonë dhe ju dëshiroj shumë sukses në rrugëtimin e juaj në studime dhe në jetë”, ka thënë Kastrati, duke i uruar maturantët gjimnazist.

Edhe drejtoresha e Drejtorisë për Arsimi dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, i ka uruar maturantët e kësaj gjenerate. “Të dashur maturant, ne po bëhemi dhe po bëhemi sepse kështu ka dashur profesor Hamdi Berisha dhe të gjithë dëshmorët e vendit ! Kudo që ju shkoni mos e harroni Malishevën, vendlindjen tuaj, sepse askund nuk peshoni me shumë se këtu ! E paçi jetën e ndritur ! Urime të përzemërta !”, i ka uruar drejtoresha Krasniqi.

Në fund, në mënyrë solemne, të gjithë maturantët i kanë marrë diplomat.

Share.