Në Zym të Hasit, është mbajtur manifestimi letrar, kulturor e shkencor ”Takimet e Gjeçovit”. Manifestimi “ Takimet e Gjeçovit”, këtë vit shënon edicionin e 48-të me radhë dhe ka filluar në fshatin Shëngjergj për të vazhduar më pas në Zym . Pjesë e këtij manifestimi përveç krijuesve letrar nga hapësirat mbarëshqiptare ishin edhe banorët të zonës së Hasit dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Frrok Kristaj nga këshilli organizativ i manifestimit, tha se kjo ngjarje tradicionale vazhdon të ruaj promovimin e vlerave të pastërta kombëtare përmes aktiviteteve të ndryshme. Pjesë e edicionit të sivjetmë ishte edhe kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, i cili tha se është nder i madh të jesh i pranishëm në organizimin që e mban emrin e personalitetit të shquar të kombit tonë, Shtjefën Gjeçovi. Famullitari i Zymit, Don Tomë Karrica, njoftoi se veçori e këtij manifestimi është restaurimi i muraneve të Shtjefën Gjeçovit dhe Luigj Palajt, dy figura të mëdha atdhetare dhe fetare. Ndërkaq, Frrok Kristaj, njoftoi se këtë vit me rastin e 90 vjetorit të vdekjes së, Shtjefën Gjeçovit, do të mbahet një simpozium shkencor dhe do të bëhet zbulimi i një lapidari në vendin e vrasjes së tij. Në kuadër të këtij manifestimi është mbajtur ora letrare ”Anton Pashku”, është hapur ekspozita e Jasmir Morinës e titulluar ”Gjeometri ornamentesh”, aktiviteti ”Dita e bukës zymjane” duke u përcjellur më pas me programin kulturo-artistik nga ShKA ”Katerina Josipi”./ Televizioni i Prizrenit 

Share.