Arkëtari i LDK-së, njëherësh ish-ministri i dy legjislaturave, Lutfi Zharku e ka biznesmen shumë të fuqishëm vëllanë, tek i cili po punon edhe një pjesë e familjes së tij.

Ish-ministri i LDK-së, Lutfi Zharku, sot shfaqi një fotografi të djalit të tij i veshur në rroba prej punëtori, duke punuar në një fabrikë.

“Ariani im sot i mbush 24 vjet. Ka kryer fakultetin ekonomik si student i shkëlqyeshëm por prodhon beton. Po e përjeton si çdo i ri se sa vështire fitohet rroga. Po e ndërton personalitetin e një te riu punëtor dhe te ndershëm qe te jetoje prej punës se vet. Edhe sot nuk ka pushim. Çdo dite e me shume po behet burrë”, shkroi ish ministri në Facebook.

Por, djali është duke punuar në firmën e vëllait të tij. Sipas fotografive që djali i tij i ka postuar në Facebook, shihet që pas orarit të punës bënë jetë që nuk mund ta bëjnë shumë të rinjtë tjerë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Zharku ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Sipas deklarimit të pasurisë që Zharku e ka shpalosur në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2019, shihet që disa anëtar të familjes i ka të punësuar në bizneset e vëllait të tij, Ilaz Zharku. Bashkëshortja i puno në “FAST” shpk, po ashtu edhe njëri prej fëmijëve në këtë biznes, dhe një tjetër në “Blissville” LLC.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës – ARBK, të dy këto biznese janë në pronësi të vëllait të tij.

Bizneset e Zharkut merren me tregti të naftës, çimentos, materialeve ndërtimore, hotelieri, ndërmjetësim dhe disa aktivitete të tjera.

“Fast” Sh.p.k. është kompani në pronësi të Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2011, e cila merret me prodhimin e çimentos, prodhimin e gëlqeres dhe llaçit, prodhimin e produkteve prej betoni, tregtimin me pakicë të pijeve dhe duhanit. Kjo kompani ka në pronësi edhe një fabrikë për prodhimin e betonit të gatshëm.

“Inex Petrol” Sh.p.k është kompani në pronësi të Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2008, në kohën kur Lutfi Zharku ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Sipas procedurave ajo duhej të liçensohej në këtë ministri me nënshkrimin e vëllait të tij Lutfi Zharkut. Kjo kompani merrej me përpunimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit, me shërbime hoteliere dhe me ndërmjetësime në shit-blerjen e produkteve të naftës dhe derivateve të saj. Kjo pikë e derivateve gjendet në hyrje të Kaçanikut dhe gjithashtu posedon edhe një restorant.

“Geore” L.L.C është kompani e krijuar në 2016-tën, pas ardhjes se Lutfi Zharkut si ministër në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo kompani ka si aktivitet primar, nxjerrjen e produkteve nga nëntoka. Është e themeluar nga 4 bashkëpronarë ku njëri ndër ta është edhe Ilaz Zharku. Bashkëpronarë është edhe Samedin Rexha, që punon si përgjegjës i njësive operative në Kompaninë Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni‟. Sipas, ARBK-së, Rexha ka edhe disa kompani tjera aktive.

Rexha ka qenë drejtor edhe në kompaninë “Aqualab Sh.p.k” & ”Derivati Sh.p.k”. Kompania “Derivati Sh.p.k”. Ky biznes ishte akredituar në vitin 2009, si “Laborator për Analiza të Naftës dhe Derivateve të saj” kur ministër ishte Lutfi Zharku.

“Kacaniku-Commerce” Sh.p.k është kompani në pronësi të Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2003, e cila merret me prodhimin e produkteve prej betoni, tregtinë me shumicë dhe pakicë të materialeve ndërtimore si dhe me transportin rrugor të mallrave. Kjo kompani ka si bashkëpunëtor disa nga kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe tregtimit të materialeve ndërtimore në Kosovë.

CONS O.K. është kompani në pronësi të Mustafa Vlashit dhe Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2003, e cila kishte si aktivitet primar “Ndërmjetësimin për Shitjen e Lëndës së Drurit dhe Materialeve të Ndërtimit”.

Vetë Lutfi Zharku është aksionar në biznese. Këtë e ka bërë publike në AKK. Ai ka treguar se ka aksione në dy shoqëri komerciale si në “BprAL Riinvest” dhe “Komercijalna Banka Shkup (% e panjohur) 264 Aksione”.

Zharku ka të deklaruar një veturë të bashkëshortes të blerë në vitin 2016, 6 mijë e 500 euro. Para të gatshme, të mbajtura në institucione financiare ka deklaruar rreth 47 mijë euro.

Paga e bashkëshortes e cila punon tek vëllai i tij, i është rritur shumë në krahasim me vitin e kaluar deklaruar të hyra mujore në vlerë prej 231 eurove, në këtë vit të hyra vjetore I ka deklaruar 17,087.25 euro, po tek e njëjta kompani.

Share.