UEFA ka publikuar sot emrat e tre lojtarëve të nominuar për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit për sezonin 2022/23.

Fituesi i çmimit do të publikohet në ceremoninë e shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për edicionin 2023/24, i cili do të mbahet më 31 gusht në Grimaldi Forum në Monako.

Tre lojtarët që janë në garë për çmimin në fjalë janë Kevin De Bruyne, Erling Haaland dhe Lionel Messi.

Për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit, një listë fillestare e lojtarëve u zgjodh nga grupi i studimit teknik të UEFA-s bazuar në paraqitjet e tyre gjatë sezonit 2022/23 në nivel klubesh dhe me kombëtaren.

Tre të nominuarit më të mirë u votuan më pas nga një juri e përbërë nga trajnerët e klubeve që luajtën në fazat e grupeve të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës, së bashku me trajnerët e ekipeve kombëtare të shoqatave anëtare të UEFA-s.

Pjesë e jurisë ishin edhe një grup gazetarësh të përzgjedhur nga Media Sportive Evropiane (ESM).

/TV Malisheva

Share.