Siç njofton “Novayagazeta”, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës ka kërkuar javën e kaluar nga agjencitë e zbatimit të ligjit të Bjellorusisë, që të ekstradohen në Ukrainë, 28 nga 33 mercenarët rusë të Wagner, të arrestuar në Bjellorusi ditë më parë.

Kërkesa e Zyrës së prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës, bazohet në informacionet që i kanë për përfshirjen e 28 mercenarëve rusë, në grupe terroriste dhe luftime në rajonin e Donbasit. Në kërkesë gjithashtu thuhet se 9 nga 28 mercenarët rusë, që kërkohen për pjesëmarrje në luftime në Ukrainë, janë shtetas të Ukrainës, raporton KosovaPress.

Organe e hetuesisë të Bjellorusisë, janë duke i intervistuar 33 mercenarët e Wagner dhe nga intervistimet e para, ka deklarata kontradiktore të tyre. Më pak se gjysma e të arrestuarve thonë se kanë pasur plan të fluturojnë përmes Minskut për Stamboll, ndërsa pjesa tjetër në vende tjera. Vlen të ceket se ndërtimi i alibisë për gjoja fluturim për Stamboll, ishte bërë nga disa bileta të aeroplanit për Stamboll, që i kishin të arrestuarit me vete, të cilave data e fluturimit iu kishte skaduar. Besohet që biletat e fluturimit për Stamboll i kishin për arsyetim gjatë hyrjes në Bjellorusi, në rast se do të pyeteshin nga organet kufitare bjelloruse për qëllimin e vizitës.

Nga 33 mercenarët e arrestuar, rreth një e treta e tyre janë veteranë të grupit mercenar paramilitar të Wagner dhe kanë marr pjesë në luftime në Ukrainë, Siri, Libi dhe shtete të Afrikës Qendrore. Më i famshmi nga të arrestuarit është Andrey Bakunovic Petrovic, i njohur si snajperist.

Andrey, pas shërimit nga plagët e marra gjatë luftimeve në Ukrainë, kishte fluturime të shpeshta për Siri, ku Wagner merrte pjesë në luftime, në mbështetje të diktatorit Sirian, Bashar al Asad.

Andrey, përveç që ka marrë pjesë në luftime në Ukrainën Lindore dhe Siri, emri i tij ishte përmendur në një raport të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si pjesëmarrës i Wagner në Libi, ku Wagner mbështet forcat rebele të gjeneralit pro-rus, Khalifa Haftar.

Ndryshe, ditë më parë KosovaPress ka raportuar për arrestimin e 33 mercenarëve rusë në Bjellorusi, dhe se presidenti bjellorus, Llukashenko ka komentuar arrestimin e këtyre të fundit, duke thënë se do të përballen me dënimin me vdekje.

Wagner është njësi paramilitare ruse e krijuar nga presidentit Putin dhe nën drejtimin e Dimitri Utkin, nënkolonelit të forcave speciale ruse “Spetsnaz”. Wagner është nën kontrollin e drejtpërdrejt të oficereve të shërbimeve inteligjente rus, FSB-së dhe GRU-së. Në lidhje me Wagner është edhe biznesmeni kontrovers rus, Yevgeni Prigozhin, për të cilin thuhet se është njeri i afërt i presidentit Putin.

Paramilitarët e Wagner kanë qenë pjesë e konflikteve në Ukrainë, Siri, Republikën Qendrore Afrikane dhe Libi. Në mesin e paramilitarëve të Wagner ka edhe paramilitarë serbë, ku vlen të ceket rasti i paramilitarit serb nga Kosova, Aleksa Gjuriq, i cili gjatë muajit maj ishte vrarë në luftime në Libi./Tv Malisheva

Share.