Kompania shtetërore e hekurudhave në Ukrainë, ka thënë që më shumë se 30 njerëz janë vrarë dhe mbi 100 janë plagosur, si pasojë e sulmit rus me raketë në stacionin e trenit në qytetin lindor, Kramatorsk, sipas transmetuesit britanik, BBC.
Kramatorsk ka pasur një prej stacioneve që ka vazhduar operimin në këtë pjesë të Ukrainës.
Guvernatori i Donjeckut ka thënë se mijëra njerëz kanë qenë aty në kohën e sulmit, duke tentuar që përmes trenit të largohen nga ajo zonë.
Udhëheqësi i kompanisë hekurudhore të Ukrainës ka thënë se dy raketa kanë goditur stacionin.
Kramatorsk është njohur si një prej rrugëve kyçe për evakuim nga lindja e Ukrainës.
Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
/TV Malisheva