Parlamenti ukrainas ka miratuar një projektligj që ndalon simbolet e pushtimit rus, duke përfshirë ato që përmbajnë shkronjat Z dhe V, tha deputeti Yaroslav Zheleznyak në Telegram.
Ai vuri në dukje se dokumenti përfshinte propozimet e presidentit Volodomyr Zelensky, të cilat ai i paraqiti kur vuri veton ndaj projektligjit të mëparshëm të miratuar më 14 prill.
Versioni i ri i ligjit zgjeron gamën e rasteve kur lejohet ekspozimi i simboleve, përkatësisht në muze, biblioteka, vepra shkencore, tekste shkollore e kështu me radhë, sipas BBC.
Projektligji i ri, megjithatë, ndalon krijimin e OJQ-ve që përdorin simbolet ruse të luftës dhe aktivitetet e të cilave kanë për qëllim përhapjen e propagandës së luftës dhe minimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Shkronjat “Z” dhe “V”, të cilat nuk ekzistojnë në alfabetin rus, janë përdorur gjerësisht për të simbolizuar mbështetjen për pushtimin rus të Ukrainës. Ato përdoren për të shënuar automjetet ushtarake ruse në fushën e betejës.