Ukraina ka urdhëruar arrestimin në mungesë të ish-presidentit Viktor Yanukovich, duke e akuzuar për tradhti.
Akuzat ndërlidhen me një marrëveshje që ai nënshkroi në vitin 2010 për zgjatjen e qirasë së Rusisë për objektet detare në Krime.
Marrëveshja, e njohur gjerësisht në Ukrainë si Pakti i Kharkiv, i lejoi Rusisë të mbante flotën e saj të Detit të Zi në portin e Krimesë të Sevastopolit.
Yanukovich, i cili u arratis në Rusi në vitin 2014 pas protestave masive, tashmë ka marrë një dënim me 13 vjet burg në mungesë për tradhti.
Ai rast lidhej me një letër që i dërgoi presidentit rus Vladimir Putin më 1 mars 2014, ku i kërkonte të përdorte forcat e ushtrisë dhe policisë ruse për të rivendosur rendin në Ukrainë. Ai më herët ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas tha se një gjykatë e Kievit urdhëroi arrestimin e Yanukovich pasi Pakti i Kharkiv i kishte mundësuar Rusisë të rriste numrin e trupave që kishte në Ukrainë dhe të aneksonte Krimenë në vitin 2014.
Veprimet e Yanukovich kishin shkelur kushtetutën dhe “në dëm të sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së mbrojtjes, sigurisë shtetërore dhe ekonomike të Ukrainës, i dhanë ndihmë një shteti të huaj”, raporton Sky News.
/TV Malisheva