Ushtria ruse ka humbur kontrollin e disa fshatrave në rajonin e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Ndërkohë pas kthimit në këto fshatra, ushtria ukrainase po vazhdon të gjejë trupa të ushtarëve të vrarë rusë. Kievi thotë se deri tani Moska nuk është interesuar për kthimin e kufomave të ushtarëve të tyre.

Ndërsa ushtria ukrainase përparon duke çliruar fshatra të tjera në rajonin rreth Kharkivit, vazhdon gjetja e gjithnjë e më shumë trupave të ushtarëve rusë.

“Me simbole fashiste, shtetasit rusë erdhën për të shfarosur ukrainasit”, thotë një pjesëtar i ushtrisë së Ukrainës.

Madje edhe në fshatin Malaya Rohan, i çliruar para më shumë se një muaji, ushtarët ukrainas vazhdojnë të gjejnë kufoma të rusëve.

Disa prej tyre janë varrosur nga banorët e zonës, ndërsa të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në vendet ku janë vrarë.

“Në gjithë fshatin Malaya Rohan janë afërsisht 300 trupa. Ka pasur më shumë. Disa i morën me kohë. Kur po largohesha pashë që po i merrnin të paktën 15 trupa, ndërsa kishin ngelur rreth 30 tjerë. Herë pas here vijnë dhe i marrin. Por sinqerisht, do të preferoja që t’i fusnim të gjithë në një varrezë masive dhe të kursejmë energjinë e djemve tanë. Sepse rusët nuk e meritojnë të rivarrosen”, thotë Gennadiy, banor i fshatit.

“Rusët jo vetëm që duhet të largohen matanë kufirit, por edhe të bombardohen. Le ta provojnë, të jetojnë në ferrin që përjetuam ne. Ata u bënë gjëra të tmerrshme fëmijëve dhe grave. Si është e mundur? Nuk na linin të iknim. Po gjuanin drejt nesh. Mendoj se këta duhet të vdesin si qentë”, thotë Iryna Reshetnik, banore e fshatit.

Trupat e mbi 40 ushtarëve rusë, të cilët u gjetën pas betejave rreth qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv, do të ruhen në frigoriferët brenda një vagoni të trenit, derisa Rusia të kërkojë marrjen e tyre.

“Tani po presim hapat e radhës nga përfaqësues të Federatës Ruse ose urdhra nga qeveria jonë, për shkëmbimin ose ruajtjen e këtyre trupave”, thotë një ushtar ukrainas i njohur me pseudonimin “Leto”.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve ukrainas, deri tani Rusia nuk ka bërë asnjë përpjekje për tërheqjen e trupave të ushtarëve të saj. (Voa)

/TV Malisheva

Share.