Në Ukrainën verilindore, një kundërofensivë ka parë që forcat vendase të rimarrin një pjesë të territorit dhe të dëbojnë trupat ruse. Por në zonat e sapoçliruara, lehtësimi dhe pikëllimi janë të ndërthurura – pasi dalin rrëfime për torturat dhe vrasjet gjatë muajve të gjatë të pushtimit rus.

Artem, i cili jeton në qytetin Balakliya në rajonin e Kharkiv, tha për BBC se ai u mbajt nga rusët për më shumë se 40 ditë dhe u torturua me goditje elektrike.

Balakliya u çlirua më 8 shtator pasi ishte i pushtuar për më shumë se gjashtë muaj. Epiqendra e brutalitetit ishte stacioni i policisë së qytetit, të cilin forcat ruse e përdorën si selinë e tyre.

Artem tha se mund të dëgjonte britma dhimbjeje dhe tmerri që vinin nga qelitë e tjera.

Rusët u siguruan që klithmat të dëgjoheshin, tha ai, duke fikur sistemin e zhurmshëm të ventilimit të ndërtesës.

“E kanë fikur që të gjithë të dëgjojnë sesi njerëzit bërtasin kur tronditen nga rryma”, tha ai. “Këtë ua bënin disa të burgosurve çdo ditë… Madje ua bënin këtë edhe grave”.

Dhe ia bënë Artemit, megjithëse në rastin e tij vetëm një herë. Ai ishte arrestyar sepse rusët ia gjetën një fotot të vëllait të tij me uniformë ushtarake.

Një tjetër burrë nga Balakliya u mbajt për 25 ditë në burg sepse kishte flamurin ukrainas, tha Artem.

Një drejtoreshë shkolle e quajtur Tatiana i tha BBC, se ajo u mbajt në komisariat për tre ditë dhe gjithashtu dëgjoi britma nga qelitë e tjera.

BBC solli pamje nga qelitë ku shiheshin lutjet të shkruara nga të burgosurit. Oficerët e policisë ukrainase thanë se deri në tetë burra u mbajtën në qelitë e destinuara për dy persona. /TV Malisheva

Share.