Ukraina nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të ruajtur drithin, kur të jetë gati për të korrur, tha një deputete ukrainase në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Yevheniia Kravchuk tha se koha po mbaronte për të eksportuar 22 milionë tonë drithë që aktualisht është në ruajtje në Ukrainë, përpara se të korrat e ardhshme të jenë gati për t’u ruajtur.

Kjo vjen ndërsa Rusia vazhdon të bllokojë portet e vendit të Detit të Zi.

“Kemi rreth një muaj e gjysmë para se të fillojmë të mbledhim të korrat e reja,” tha ajo në margjinat e ngjarjes në resortin zviceran.

Ka pasur paralajmërime në rritje për një krizë globale ushqimore, pasi Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë gati një të tretën e furnizimeve globale të grurit. Ukraina është gjithashtu një eksportues i madh i misrit, elbit, vajit të lulediellit dhe vajit të rrepës.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të martën se Moska duhet të diskutojë eksportin e grurit të bllokuar në Ukrainë si rezultat i bllokadës ruse.

Zëvendësministrin e jashtëm të Rusisë, Andrei Rudenko, tha se Moska ishte e gatshme të siguronte një korridor humanitar për anijet që transportonin ushqime që të largoheshin nga Ukraina, në këmbim të heqjes së disa sanksioneve.

Sekretari i mbrojtjes britanik Ben Wallace, hodhi poshtë idenë e heqjes së sanksioneve për të thyer bllokimin. Ai tha se Rusia duhet “të bëjë gjënë e duhur”, ndërsa u takua me homologen e tij spanjolle Margarita Robles në Spanjë.

Në vend të kësaj, ai mirëpriti sugjerimin që vendet e tjera të Detit të Zi, si Turqia, mund të shoqëronin dërgesat e grurit në Ukrainë.

Ukraina thotë se pret që të korrat e këtij viti të jenë rreth 70% e të korrave të vitit të kaluar, pasi disa nga fushat janë tani nën kontrollin rus ose janë minuar.

/TV Malisheva

Share.