Me rastin e 11-vjeçares, e cila dyshohet se u dhunua seksualisht në gusht nga pesë persona, janë duke u marrë dy prokurorë. Me vendim të prokurorisë, e mitura pas 21 qershorit, ka qëndruar një muaj në strehimore. Ku më pas, me kërkesë të familjes, viktima është liruar nga strehimorja.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj nuk ka treguar emrat e prokurorëve që kanë hetuar rastin. Ajo nuk ka treguar as nëse janë duke u kryer hetime për punëtorët socialë e prokurorët që po merren me këtë rast. Ulaj ka thënë se që nga fillimi i rastit janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në koordinim me institucionet relevante.

Në kronologjinë e rastit, ajo thekson se me datën 7 korrik, prokurori e ka dëgjuar të dëmtuarën në prezencë të punëtores sociale. Dhe se vetëm pas dy muajsh, Prokuroria e Shtetit ka arritur të marrë raportin nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj në konferencë për media ka folur për rastin e 21 qershorit, kur ajo është paraqitur si e zhdukur në polici.

“Me datën 21 qershor të këtij viti, e mitura ka dalë nga shtëpia rreth orës 08:00, për të cilin rast nëna e saj e ka raportuar në polici, si person i zhdukur. Dhe me të njoftuar prokurori kujdestar i Departamentit për të Mitur, i njëjti ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore. Të nesërmen, me datën 22 qershor në orën 08:20 në stacionin policor të veriut, është gjetur e mitura. Dhe menjëherë është intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe është dërguar në strehimore. Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore është njoftuar dhe në bazë të autorizimit të Prokurorit të Shtetit ka filluar me ndërmarrje të veprimeve hetimore. Pasi që kemi pasur dyshime se e njëjta është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm”, ka njoftuar ajo.

Po atë ditë, ajo tha se hetuesit kanë njoftuar prokurorin dhe kanë paraqitur kërkesë për ekzaminim fizio-gjinekologjik.

“Në fund të kësaj kërkese apo të kësaj urdhërese është kërkuar që kjo kërkesë të merret me urgjencë. Po të njëjtën ditë të 22 qershorit të këtij viti, prokurori kujdestar të Departamentit për të Mitur ka kërkuar ekzaminim fizio-gjinekologjik të të dëmtuarës. Dhe në fund të kësaj urdhërese është kërkuar që të trajtohet në mënyrë urgjente… Me datë 23 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht prokurori i çështjes ka paraqitur urdhëresë për ekzaminimin e ADN-së në trupin e viktimës. Dhe edhe në këtë kërkesë ka pasuar që kërkesa është e natyrës urgjente… Me kërkesë të prokurorit të shtetit është urdhëruar që telefoni i viktimës të dërgohet në ekzaminim. Në fund të kësaj kërkese është kërkuar që të trajtohet në mënyrë urgjente”, ka shtuar Ulaj në konferencë për media.

Më tej, ajo ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit kishte marrë vendim ku obligohet Agjencia e Kosovës për Forenzikë në Prishtinë që të bëjë ekzaminimin e telefonit të të miturës dhe në fund të kësaj kërkese është kërkuar që të trajtohet në mënyrë urgjente.

“Me datën 27 qershor është bërë kërkesë për tërheqjen e kamerave të moteleve, ku supozohet se ka mundur të shkojë viktima. Me datën 7 korrik, prokurori i rastit e ka dëgjuar të dëmtuarën në prezentë të punëtores sociale dhe në prezencë të psikologes. E dëmtuara është dërguar në strehimore dhe aty ka qëndruar rreth 1 muaj. Ndërsa, me datë 21 korrik të këtij viti me kërkesë të familjes, viktima është liruar nga strehimorja. Dhe të njëjtit kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre”, ka thënë ajo.

Ulaj është pyetur për veprimet që janë ndërmarrë ndaj punëtorëve socialë, të cilët nuk e kanë kryer mbikëqyrjen e vajzës dhe prokurorit që është marrë me rastin.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke analizuar komplet rrjedhën e rastit dhe eventualisht në rast të paraqitjes së ndonjë vepre penale, do të fillojë dhe do të ndërmarrë masa të tjera… Nuk mund të jap këtë informacion, nuk jam e thirrur. Ajo çfarë mund të them është se janë duke u analizuar të gjitha veprimet e ndërmarra deri në ditën e sotme… Janë dy prokurorë të cilët janë duke trajtuar dy çështje ndaras”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, e mitura është intervistuar vetëm disa javë më pas.

“Prokurori si pasojë e mungesës së psikologëve të angazhuar në prokurori, që është një nevojë esenciale dhe kemi kërkuar kërkesa të ndryshme që të aprovojnë këtë kërkesë dhe të angazhojnë një psikolog në prokurori përkatëse. Dhe meqenëse është dashur të sigurojmë prezencën e psikologës, ka marrë kohë derisa është siguruar psikologja dhe derisa është intervistuar e dëmtuara në prezencë të psikologes. Prokurori i Shtetit nuk ka pasur mundësi ta intervistojë të dëmtuarën pa prezencën e psikologes”, ka thënë Ulaj.

Ajo theksoi se pas më shumë se dy muaj, Prokurori i Shtetit ka marrë raportin nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

“Lidhur me të gjitha këto veprime, Prokurori i Shtetit po ashtu me datë 1 shtator të këtij viti ka marrë raportin nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë lidhur me ekzaminimin e telefonit të të dëmtuarës. Dhe pas këtij ekzaminimi, kemi arritur t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë personat të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e muajit qershor të këtij viti. Dhe pas sigurimit të gjitha të gjeturave dhe provove që kishim në dispozicion, Prokuroria në koordinim të plot me Policinë ka arrestuar fillimisht gjashtë persona të cilët janë dërguar në ndalim me urdhër të Prokurorit të Shtetit në kohëzgjatje prej 48 orësh, të njëjtit janë dyshuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit, të trafikimit me njerëz dhe të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit. Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit për këta gjashtë persona”, ka njoftuar ajo.

Nga data 7 korrik e deri më 2 shtator, Ulaj në konferencë për media ka thënë se prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke lëshuar të gjitha urdhëresat të cilat kanë qenë të parapara për hetimin e këtij rasti.

Ajo ka folur edhe për rastin e gushtit, ku dyshohet se pesë persona për disa orë radhazi dhunuan seksualisht të miturën.

“Aktualisht të gjithë të dyshuarit ndodhen në masën e paraburgimit. Ne e organizuam këtë konferencë për hir të njoftimit të saktë të opinionit publik për të gjitha veprimet që ka ndërmarrë prokuroria që nga pranimi i rastit të muajit qershor duke vijuar tutje. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët se nga muaji qershor i këtij viti, prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plot me të gjitha institucionet tjera relevante. Dhe të njëjtit po vazhdojnë hetimet me intensitetin më të lartë, në mënyrë që të merr një epilog përfundimtar kjo çështje penale. Dhe personat e dyshuar ta marrin dënimin e merituar”, ka theksuar Ulaj.

Ajo në konferencë për media është pyetur edhe pse në këtë konferencë nuk është prokurori i rastit, megjithatë zëdhënësja Laureta Ulaj nuk ka dhënë detaje as për emrat e tyre.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka kritikuar prokurorët dhe gjyqtarët në lidhje me këtë rast. Siç ka thënë ai, nuk mjaftojnë dorëheqjet në polici. /TV Malisheva

Ulaj: 11-vjeçarja ka qëndruar një muaj në strehimore, familja ka kërkuar  lirimin e saj - KosovaPress

Share.