I ka përfunduar punimet Samiti i Berlinit i cili u mbajt në Tiranë. Në këtë takim, që u zhvillua për herë të parë jashtë vendeve të BE-së, ku morën pjesë krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, palët kanë diskutuar mbi rrugët e integrimit të rajonit në tregun e përbashkët evropian si dhe përafrimin e standardeve ligjore dhe demokratike me ato të BE-së.
Ky “plan i rritjes ekonomike”, sipas Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, krijon mundësi për dyfishimin e madhësisë ekonomike për vendet e rajonit brenda këtij 10 vjeçari i cili do të shoqërohet paralelisht me reforma dhe investime. Vlen të theksohet se në këtë samit shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.
Në konferencën e përbashkët për shtyp ku u promovua edhe hapja Kolegjit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë “hapja e këtij Kolegji përfaqëson Evropën këtu në Tiranë. Do të kemi studentë nga Evropa. Ky Kolegj do ta ketë degën e tretë këtu në Tiranë sepse të parën e kemi në Belgjikë të dytën në Poloni dhe tash të tretën në Tiranë. Në këtë institucion do të formohen ambasadorët e ardhshëm të idesë evropiane. Dhe kjo nuk është vetëm një dhuratë që Evropa i bënë Shqipërisë por edhe Shqipëria që po i bën Evropës”, tha ajo.
Kurse Kryeministri Rama është shprehur i entuziazmuar me shpejtësinë me të cilën është hapur Kolegji Evropian, duke shtuar se Bashkimi Evropian është një bekim për të gjitha vendet tona. Sepse na mëson se si të ndërtojmë institucione demokratike. Dhe një nga mësimet kryesore të BE-së është që biem dakord të mos biem dakord”, ka përfunduar Kryeministri Rama.
Siç dihet, Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme të afërme.
Qëllimi i kësaj nisme ishte krijimi i ndërlidhjes rajonale nëpërmjet shkëmbimeve humane (dimensioni shoqëror), bashkëpunimit ekonomik (dimensioni ekonomik) dhe bashkëpunimit politik (dimensioni politik) të rajonit. Brenda kësaj agjende, Procesi i Berlinit ka patur marrëveshje dhe projekte në fushat e transportit dhe infrastrukturës, bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit të të rinjve dhe bashkëpunimit midis bizneseve dhe midis shoqërive civile të Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, me anë të këtij mekanizmi formal ishte synuar të krijohej një ombrellë gjithëpërfshirëse për të gjitha vendet e rajonit, sepse duke mos qenë instrument zyrtar BE-së, ky Samit ka mundur t’i shmang pengesat ndaj Kosovës për shkak të qëndrimit neutral ndaj statusit që e ka Brukseli, si pasojë e pesë vendeve mos njohëse të Bashkimit Evropian.
Madje në këtë mënyrë u shpresua se Kosova dhe Serbia duke marrë pjesë në projekte të përbashkëta do të mund t’i tejkalonin konfliktet politike dhe historike, me qëllim që paralelisht me dialogun në Bruksel të përshpejtohej procesi i integrimeve. Por se sa i pamundur është ky mision u vërtetua “simbolikisht” edhe sot, kur kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, e ka bojkotuar fotografinë e përbashkët ndërmjet liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor për shkak të flamurit të shtetit të Kosovës. Kurse agresioni i vazhdueshëm i Serbisë kundër Kosovës e arriti kulmin me 24 shator, ku pas një sulmi terrorist të grupeve të armatosura nga Serbia mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Një dëshmi kjo, se pa një presion ndërkombëtar mbi Serbinë për ta pranuar realitetin e shtetit të Kosovës vështirë të kenë sukses nismat tjera rajonale.
/TV Malisheva