IKSHPK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur për rëndësinë e vaksinimit kundër koronavirusit dhe vaksinat në dispozicion kundër kësaj sëmundjeje, e cila tash e më shumë se një vit ka goditur të gjithë botën.

“Vaksinimi juaj mbron të tjerët në rrethin tuaj duke ndihmuar parandalimin e përhapjes së sëmundjes tek ata që nuk kanë mundësi ta marrin vaksinën. Derisa sasia e vaksinave është e pamjaftueshme për vaksinimin e 70% të popullatës, është e rëndësishme që së pari të vaksinohen personat që janë në rrezik më të lartë të sëmuren rëndë ose të vdesin nga COVID-19, si dhe ata që kanë një rrezik të lartë të infektimit me SARS-CoV-2 për shkak të kontaktit me pacientët e infektuar”, thuhet në komunikatë.

Për t’u aprovuar përdorimi i vaksinave kundër COVID-19, ato duhet t’i përmbushin standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit, teksa në Kosovë tani në dispozicion janë dy lloje të vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer.

Vaksinat AstraZeneca përdorin një virus të padëmshëm që bart proteinat e koronavirusit për ta shkaktuar në mënyrë të sigurt një përgjigje imunologjike dhe vaksina jepet në dy doza me 9-12 javë distancë në mes të dy dozave.

Vaksinat e acidit nukleik (mARN Pfizer BioNTech) përdorin ARN gjenetikisht të modifikuar, për të gjeneruar një proteinë që vetë në mënyrë të sigurt shkakton një përgjigje imunologjike dhe vaksina jepet në dy doza me 3-4 javë distancë në mes të dy dozave.

IKSHPK përkujton se vaksinat kundër COVID-19, janë mundësia jonë më e mirë në mposhtjen e pandemisë dhe kthimin në normalitet, në kohën kur në vendin tonë deri më tash janë vaksinuar 29.704 persona me dozën e parë dhe asnjë nga ta nuk kanë raportuar efekte të rënda pasvaksinale./TV Malisheva

Share.