Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal, ka filluar të hënën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe në 13 qendra të tjera të Mjekësisë Familjare në kryeqytet ku qytetarët mund të vaksinohen.
Doktoresha e kësaj qendre Xhevahire Canolli tha se fillimisht me këtë vaksinë duhet të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar.
Ajo bëri thirrje që qytetarët të vaksinohen pasi sipas saj, vaksinimit mbetët mënyrë më e mirë dhe efektive në parandalim dhe mbrojtjen nga sëmundjet infektive.
“Sot ka filluar procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal këtë vit sikurse edhe vitin e kaluar procesi i vaksinimit do të jetë lehtësisht i arritshëm nga qytetarët. Me qenë se qytetarët do të kenë mundësi që këtë shërbim përveç në Qendrën Kryesore të QKMF-së ta marrin edhe në 13 qendra të tjera të Mjekësisë Familjare, duke përfshirë këtu edhe qendrën e re që gjendet në lagjen Veternik. Orari i punës do të jetë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 20:00 në mbrëmje. Kurse në këto qendrat e tjera do të jetë orari i paradites”.
“Vaksinimi kundër gripit sezonal i rekomandohet grupeve në rrezik të lartë, siç janë personat e moshuar mbi 65 vjeç, personat më sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, me diabet, grave shtatzënë, fëmijëve të vegjël nën 5 vjeç si dhe personelit shëndetësorë. Nuk rekomandohet në raste të alergjisë në ndonjë komponent të vaksinës. Në raste të sëmundjeve akute, me temperaturë si dhe të fëmijët e vegjël nën gjashtë muaj. Me qenë se jemi në sezone e gripit kur rastet me grip fillojnë të rriten kisha ftuar qytetarët që të vaksinohen pasi vaksinimit mbetët mënyrë më e mirë dhe efektive në parandalim dhe mbrojtjen nga sëmundjet infektive. Vaksinimi mbron vetë personi që imunizohet dhe njëkohësisht ndihmon në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit në komunitet”, tha ajo.
Fillimi i vaksinimit kundër gripit sezonal u prit mirë edhe nga të moshuarit sipas të cilëve kjo vaksiën u ka ndihmuar ndërvite.
Rexhep Beketshi, i cili u vaksinua të hënë me vaksinën kundër gripit, tha se qe 10 vjet vaksionohet rregullisht.
“Që 10 vite marr këto vaksina, po na ndihmojnë shumë. Edhe korona kur ka qenë unë nuk jam sëmur. Shumë mirë, edhe motrat po na presin mirë, faleminderit prej tyre. Vjet ka pasur më shumë, këtë vit me që është fillimi ka më pak”, tha ai.
Hasan Ahmeti, tha se vaksinimi është shumë i rëndësishëm për parandalimin e gripit gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit, raporton EO.
“Shumë është e rëndësishme për arsye se përvenon situatën e gripave të ndryshme gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit. Dhe ju kisha preferuar të gjithë atyre që janë mbi moshë 65 vjeçare me marr se ka ndikim shumë të mirë. Është hera e dytë që po e marr, nuk kam pasur as një shqetësim me rruge të frymëmarrjes e as me probleme të tjera”, tha ai.
/TV Malisheva