Infektologu Valbon Krasniqi thotë se pavarësisht rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit, s’ka vend për dëshpërim e zhgënjim.
Një ditë para fillimit të fazës së dytë të zbutjes së masave anti-COVID, Krasniqi thotë se situata aktuale me koronavirus është nën kontroll.
“Asnjë pandemi nuk përfundon në mënyrë të përnjëhershme. Situata është e menaxhueshme. Jemi në rrugë të drejtë. Mbani maskat, dezinfektoni duart rregullisht, vazhdoni të mbani distancën fizike, dhe suksesi është i garantuar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Me shtatë rastet e reja të konfirmuara sonte nga IKSHPK-ja, bilanci i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në vendin tonë ka arritur në 985, prej tyre 736 të shëruar dhe 29 të vdekur.
Nesër nis faza e dytë e lehtësimit të masave sipas të cilave do të ketë lëvizje më të madhe të qytetarëve, përkatësisht katër orë në vend të tri sa ishin në fazën e parë që ishte në fuqi nga data 4 maj.
Në këtë fazë, e cila do të zgjasë deri më 1 qershor, do të rihapen floktarët, sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia (merre-me-vete), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta), qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe hapja e galerive dhe muzeve