Një në katër të rinj ose mesatarisht 23 për qind e fëmijëve dhe të rinjve, është i varur nga telefonat inteligjentë, sipas një sondazhi të fundit.
Varësia nga telefonat inteligjentë, e cila përfshin nervozizëm kur telefoni nuk është i disponueshëm ose neglizhimi i aktiviteteve të rëndësishme, ka një efekt të dëmshëm për shëndetin mendor, transmeton KosovaPress.
Numri më i madh i të varurve nga telefonat mobilë janë vajza midis moshës 17 dhe 19-vjeç, sipas një studimi.
“Analiza jonë tregoi pasojat e jo vetëm përdorimit të tepruar, por përdorimit jofunksional të telefonit. Ne gjetëm një lidhje midis kësaj sjelljeje dhe shëndetit mendor të dëmtuar”, tha një nga autorët e hulumtimit, Ben Carter i Institutit Kings College në Londër.
Të varurit nga telefoni kanë përjetuar depresion, ankth dhe stres të shtuar dhe kanë probleme me gjumin. Shumë përdorues me probleme thonë se ata kalojnë pjesën më të madhe të kohës në rrjetet sociale.
Autorët besojnë se është e nevojshme që publiku të ndërgjegjësohet për këtë problem, pasi telefonat inteligjentë do të përdoren nga brezat e ardhshëm.
Ata shprehen se ende nuk është përcaktuar saktësisht nëse ata janë të varur nga vetë telefonat inteligjentë apo aplikacionet që përdorin, dhe tregojnë nevojën për hulumtime shtesë për të përcaktuar pasojat e mundshme të shëndetit mendor të brezave të rinj të ardhshëm.
Shkencëtarët analizuan 41 studime, të botuara që nga viti 2011, që përfshinin 4,871 adoleshentë dhe të rinjtë nga Azia, Evropa dhe Amerika.