Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe liderë të subjekteve politikë nga të dyja vendet, kanë shprehur ngushëllim për vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, duke thënë se ai përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë.
Nishani u nda sot nga jeta në mënyrë të parakohshme, pasi prej dy muajsh vuajti komplikacionet e infektimit me koronavirus.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit.
“Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe”, ka shkruar ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se Bujar Nishani do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.
“Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, ka shkruar ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se Nishani ishte një ndër burrështetasit e mëdhenj të Shqipërisë.
“Me dhembje mora lajmin e trishtë për vdekjen e ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Punëtor i palodhshëm, njeri i edukuar, bashkëpunëtor besnik e patriot. Kështu do ta kujtojmë përherë figurën dhe personalitetin e shquar të Bujar Nishanit, që tërë veprimtarinë e tij politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen Nishani, për miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Nderimet më të larta për jetën dhe veprën e Presidentit Bujar Nishani”, ka shkruar ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ngushëlloi familjen dhe popullin shqiptar me rastin e ndarjes nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
“Më pikëlloi lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Ikja e tij në amshim është lajm i hidhur për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Presidenti Nishani ka lënë pas vete një trashëgimi të madhe, siç ishte i madh edhe angazhimi i tij për çështjen kombëtare. Përkushtimi i tij për paqe, zhvillim e demokraci, e bën Presidentin Nishani njeri të veçantë, personalitet të rrallë, të balancuar me ide e qëndrime si dhe të paharrueshëm në historinë e popullit shqiptar. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh ngushëllime familjes Nishani dhe mbarë popullit shqiptar. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani”, ka shkruar ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se bashkëndjejnë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe.
“Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri. U prehtë në paqe”, ka shkruar ai.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta përcolli sot mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kreut të shtetit, Bujar Nishani.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkroi se me trishtim dhe hidhërim të thellë mori lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. “Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe!”, u shpreh ai.
“Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar”, shkroi Meta.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot mesazhin për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
“U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Ish-kryeministri Sali Berisha shprehu sot ngushëllimet për familjen e ish-Presidentit Bujar Nishani i cili ndërroi jetë sot, duke theksuar në një postim në rrjetet sociale se ish- presidenti Bujar Nishani ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit.
“Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Personalisht, vijoi ai, ka pasur tek Bujar Nishani një prej bashkëpunëtorëve më të afërt, duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin më të ndjerë bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe miqve të ish-presidentit dhe mikut të çmuar.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kryemadhi u shpreh se mendimet e saj janë me bashkëshorten e Nishanit, Odetën dhe familjarët e tij.
“Bujar Nishani ishte zyrtari, ushtaraku, qytetari i shtetit e miku i mirë, që karakterizohej nga integriteti dhe vlerat më të larta njerëzore. Kujtimi dhe kontributi i tij për vendin do të mbetet i paharruar!”, shkroi Kryemadhi.
Nishani vuante nga një pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve dhe kurohej në një spital në Gjermani.
Nishani mbajti detyrën e Presidentit të Republikës për një mandat 5-vjeçar, nga 24 korriku 2012 deri në 24 korrik 2017.
/TV Malisheva