Një nga yjet e humorit shkodran dhe atij shqiptar Paulin Preka, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare, njoftoi familja.
Ai mbylli sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.
Paulin Preka ka lindur në Shkodër në vitin 1935. Atje ai hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.
Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative.
Në këtë kohë daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.
Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës. Nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka.
Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,,“Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.
Paulin Preka largohet nga kjo jetë duke lënë të dëshpëruar familjen dhe miqtë e tij, por ai do të mbahet mend për humorin e tij të shkëlqyer që ja dhuroi publikut pa kursim. /TV Malisheva