Sot, një punëtor ka humbur jetën derisa ishte duke punuar në një ndërtesë që ishte në punim e sipër, në Bresje të Fushë Kosovës.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Boroci.
“Rreth orës 11:00 është marrë informata se në rrugën “Tahir Zemaj” në Bresje të Fushë Kosovës, një person, mashkull, rreth 38 vjeç, ka rënë nga lartësia, brenda një objekti. Përkundër përpjekjeve të mjekëve në QKUK, i njëjti pak kohë më pas, ka ndërruar jetë”, theksoi Boroci në një përgjigje me shkrim.
Sipas Borocit, në momentin e rënies, viktima ishte si pjesë e një ekipi që po kryente punime në atë objekt.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thekson ai.
Para tri javësh në vendin e punës ka humbur jetën edhe një punëtor në Ferizaj, pasi që kishte rënë nga lartësia.
/TV Malisheva