KFORi ka konfirmuar se viktima e aksidentit në rrugën Prishtinë – Pejë është një ushtar Italian në kuadër të misionit paqeruajtës.

Sipas misionit të NATO-s në Kosovë, fillimisht ushtari në gjendje të rëndë u transportua me helikopter në Prishtinë, ndërsa rreth orës 16:50 tashmë i ndjeri ndërroi jetë.

“Në makinën e përfshirë në aksident ndodhej edhe një ushtar tjetër, i cili me ambulancë u transportua në spital me një gjendje më të qëndrueshme në “Cam Villago Italia” dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në lidhje me aksidentin tragjik, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas njoftimit, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare po e hetojnë shkakun e aksidentit.

/TV Malisheva

Share.