Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka mbajtur takimin e parë njoftues me udhëheqësit e Agjencive dhe Departamenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Me këtë rast, ministri Veliu, para menaxhmentit të lartë të ministrisë theksoi se është i bindur se gjatë këtij mandati do të ketë një bashkëpunim të mirë, të bazuar në mirëbesim, transparencë dhe llogaridhënie.

Sa i përket bashkimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me atë të Administratës Publike, ministri Veliu bëri të ditur se të gjitha paqartësitë e mundshme pritet të sqarohen shumë shpejt, duke mos penguar funksionimin e rregullt të ministrisë dhe agjencive.

Veliu shpalosi prioritetet tjera me rëndësi, ku ndër tjerash përmendi zbatimin në përpikëri të obligimeve nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, si dhe përgatitja për procesin pas-liberalizimit, forcimin e luftës kundër të gjitha formave të krimit të organizuar, etj.

Ndryshe, me këtë rast u bë e ditur se shumë shpejt pritet që ministri Veliu t’i vizitojë të gjitha agjencitë dhe të njihet me kushtet, sfidat dhe prioritetet e tyre.

Share.