Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Maltës, George Vella, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në shtetin tonë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.

Në takim, përveç çështjeve tjera, u bisedua për raportet dypalëshe dhe proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe u shkëmbyen mendime për zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në rajon e më gjerë.

Kryetari Konjufca vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë shumë të mira dhe shprehu gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë.

Konjufca tha se Malta është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne jemi përherë mirënjohës për njohjen, por edhe për përkrahjen e palëkundur drejt të ardhmes në BE dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Duke kërkuar nga shteti mik i Maltës vazhdimin e mbështetjes për agjendën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, kryetari Konjufca nënvizoi se qytetarët tanë janë të vetmit në Evropë të cilët ende nuk mund ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë.

Presidenti George Vella shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe fuqizimin e partneritetit dypalësh, si dhe ritheksoi përkushtimin për të qëndruar përkrah Republikës së Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian. /TV Malisheva

Share.